Ç’ËSHTË KJO ÇMENDURI

Një njeri njëherë thoshte: “Po e kërkoj një njeri të mençur, por nuk mund ta gjej. Njëri afër tij e dëgjoi dhe i tha: “Në qytetin tim është një njeri i cili duket si i çmendur, hyp në bisht të shatit dhe vrapon me fëmijët nëpër rrugë.”

Njeriu filloi ta kërkojë të “çmendurin” dhe më në fund e gjeti dhe iu drejtua me fjalët: “O ti që ke zgjedhur bishtin e shatit si kalë, ndale kalin tënd një moment. Desha të pyes: Dëshiroj të martohem, por nuk di çfarë gruaje ta zgjedh.”

“I çmenduri” tha: “O njeri i mirë! Në dynja ekzistojnë tri lloje të grave, njëra është brengë, tjetra fatkeqësi, ndërsa e treta zbukurim. Nëse e merr të parën, nuk mundet me qenë e dashur, nuk do të gjesh tek ajo besnikëri, nuk do të kënaqesh me të. Mos sho pas saj. E dyta, gjysma është e ytja, e gjysma i takon tjetrit. E treta tërësisht është e ytja. Shiko të jesh i afërt me të.”

“I çmenduri” deshi të largohej me vrap, por njeriu e zuri dhe i tha: “Ndal! Më shpjego këtë më mirë. Kush janë këto tri lloje të grave?”

“I çmenduri” filloi të shpjegojë: “Gruaja e parë është gruaja vejushë me fëmiun e saj, tërë dashuria e saj është e orientuar kah fëmiu i saj me burrin e parë. Për këtë nuk mundet me qenë bashkëshorte në tërësi. E dyta është vejushë pa fëmijë. Mendon për ditët që ka kaluar me burrin e parë dhe vazhdimisht i kujtohen gjërat e kaluara. E treta është e virgjër sikurse filizi i trëndafilit, të takon ty me tërë qenien.”

Njeriu përsëri iu drejtua: “E kam edhe një pyetje . . .”

“I çmenduri ngriti kokën dhe tha: “Shumë po pyet. Thuaje shpejt se jam vonuar për të lozur me fëmijët.”

Njeriu e pyeti: “O dijetar, edhe pse posedon tërë këtë dituri, ç’është kjo lojë e ytja e të “çmendurit”?

Dijetari në maskën e të çmendurit tha: “Zullumqarët e këtij qyteti deshën të më bëjnë gjykatës (kadi), e unë refuzova. Mirëpo, ata nuk e pranuan vendimin tim. Pashë se e vetmja mënyrë që të shpëtoj nga ata është të “çmendem”. Më mirë me qenë i çmendur sesa kadi i zullumqarit.”