CILAT KATËR GJËRA NGA NE I MERR ALLAHU PARA SE TË SËMUREMI?
Kur besimtari ose besimtarja sëmuret, Allahu xh.sh. ia dërgon katër melekë para se të sëmuret. Njërin melek, Allahu xh.sh. e urdhëron që t’ia merr forcën, dhe meleku me urdhërin e Allahu xh.sh. ia merr forcën dhe ai bëhet i dobët dhe i paaftë. Allahu xh.sh. e urdhëron melekun e dytë t’ia merr ndjenjën e shijes ndaj ushqimit. Melekun e tretë e urdhëron t’ia merr dritën e fytyrës së tij dhe atij i zverdhet fytyra. Melekun e katërt Allahu xh.sh. e urdhëron t’ia merr të gjitha mëkatet e tij, kështu që ai është i pastër nga mëkatet.
Kur Allahu xh.sh. dëshiron t’ia kthejë shëndetin, Ai e urdhëron melekun që ia ka marrë forcën t’ia kthejë, e urdhëron melekun që t’ia kthejë shijen e ushqimit, e urdhëron melekun që t’ia mënjanojë zverdhjen e fytyrës, ndërsa melekun që ia ka marrë të gjitha mëkatet nuk e urdhëron t’ia kthejë mëkatet. Ky melek me përulje do të bie në sexhde para Allahut duke thënë: “O Zot i madhëruar, ishim ne katër që na urdhërove, tre prej nesh i urdhërove t’i kthejnë ato që i morën nga i sëmuri. Mua nuk më urdhërove t’ia kthej mëkatet e tij”.
Allahu xh.sh. do t’i thotë: “Nuk i ka hije nderit Tim dhe nuk është mirë të urdhëroj t’ia kthesh mëkatet e tij pasi që e kam munduar me sëmundje”.
Meleku do të thotë: “O Zoti im, e çfarë të bëj me mëkatet e tij”?
Allahu xh.sh. do t’i thotë: “Hudhi në det”.
Dhe meleku i hudh në det.
(Hadithi sahih)
SI I NDIHMOI VAJZA PESËVJEÇARE BABAIT TA PËRGATIT HYTBEN?
Një imam përpiqej ta përgatiste hytben për ditën e xhumasë dhe nuk deshi që vajza e tij pesëvjeçare ta shqetësonte, andaj nxori një hartë të botës nga dhoma e tij e punës, e shqeu në shumë copa dhe ia dha vajzës që t’i bashkojë, duke i premtuar se do të loz me të pasi ta përfundojë bashkimin e copëzave të hartës.
Për befasinë e tij disa minuta më vonë ajo u kthye me hartën e kompletuar dhe çdo kontinent ishte në vendin e vet.
I befasuar, babai e pyeti: “Shpirt, ti nuk di asgjë nga gjeografia, andaj si pate sukses, kaq shpejt dhe thjesht ta kompletosh hartën”?
Vajza pesëvjeçare buzëqeshi ëmbël dhe u përgjigj: “Në anën e pasme të hartës gjindej fotoja e Kuranit dhe mbishkrimi La ilahe il-lall-llah, Muhammedur-rresulull-llah, dhe e dija nëse Allahun, të Dërguarin e Tij dhe Kuranin i vendosim në vend të duhur, e tërë bota do të jetë në gjendje të përkryer”.
Atë që i tha vajza e tij ishte inspirim i vërtetë që i nevojitet babait për hytbe. E falënderoi vajzën dhe përgatiti një hytbe të shkëlqyer: “Rregulloni botën tuaj duke vënë Allahun, të Dërguarin e Tij dhe Kuranin në vend të duhur në zemrën tuaj”. Pastaj, i gëzuar lozi me vajzën e tij të mençur.
Mesazhi i tregimit: Vendosni Allahun, të Dërguarin e Tij dhe Kuranin në vend të duhur dhe jetët tuaja dhe ata rreth jush do të jenë në rend të përkryer:
“O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kur’ani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët.“
(Junus, 57)
QË KUR KEMI FILLUAR TA APLIKOJMË KËTË KËSHILLË, NAFAKA PO NA VJEN NGA ÇDO ANË
Para tre viteve e vizitova një mikeshë të dashur timen pas martesës së saj. Jetonte me burrin e saj në një shtëpi të vogël modeste në periferi. Pas kësaj vizite, dëgjoheshim me mobil, duke i treguar njëra-tjetrës gjërat e reja. Burri i saj kishte filluar të merret me një biznes të vogël. Një ditë, u nisa që ta vizitoj përsëri pas tre viteve. Por, tani jetonte në qendër të qytetit në një kuart elit . . . Kur hyra në shtëpinë e saj thashë: Mashallah, tebarekallah! U befasova sa e madhe ishte shtëpia me mobilie të shtrenjta. Përpara i lutesha Allahut për ta që t’u jep bereqet, e tani e pyeta nga ky ndryshim i madh. Ajo filloi tregimin: “Unë dhe burri im para dy viteve vendosëm të lëmë një kasë në dhomën e gjumit dhe çdo ditë kur zgjoheshim, futnim në kasë diç, një, dy euro, sa kishim . . . Kryesore ishte që diç të futnim në kasë për të qenë nga ata që i përfshin hadithi i Pejgamberit a.s. në të cilin thotë: “Nuk ka asnjë ditë që zgjohen robërit, e që nuk vinë dy melekë dhe njëri thotë: “O Allah, rritja pasurinë bujarit”! Ndërsa, tjetri thotë: “O Allah, shkatërro koprracin”! (Buhariu, Muslimi)
Ditën e xhumasë, burri im e hapte kasën, i merrte të gjitha të hollat pa i numëruar dhe i jepte si sadakë pas xhumasë. Për Zotin, që kur kemi filluar ta zbatojmë këtë këshillë, hajri dhe nafaka filloi të na vinte nga të gjitha anët”.
Të vërtetën e ka thënë Allahu i madhërishëm në Kuranin fisnik:
“Kush është ai që i huazon All-llahut një hua të mirë, e Ai t’ia shtojë atij shumëfish atë? All-llahu shtrëngon (varfëron) dhe çliron (begaton) dhe kthimi juaj është vetëm tek Ai.“
(El – Bekare, 245)