DHE SECILI KA DITUR NGA CILI KRUA DO TA PI UJIN
Allahu xh.sh. në Kuranin fisnik urdhëron e thotë:
“Dhe (përkujtoni) kur Musai kërkoi ujë për popullin e tij, e Ne i thamë: “Bjeri gurit me shkopin tënd”, atëherë nga ai gufuan dymbëdhjetë kroje që secili grup e dinte vendin ku do të pinte ujë. (U thamë) Hani dhe pini nga begatitë e All-llahut e mos vazhdoni të jeni çrregullues në tokë.“
(El – Bekare, 60)
“Ne i ndamë ata (popullin e Musait) në dymbëdhjetë grupe fisesh, e kur Musait i kërkoi ujë populli i vet, Ne e udhëzuam (duke i thënë): “Bjeri me shkopin tënd gurit” (ai i ra) dhe prej tij (gurit) gufuan dymbëdhjetë kroje, ashtu që secili grup e dinte krojin e vet. Ne bëmë që retë t’u bëjnë hije atyre dhe u sollëm rrëshirë dhe shkurtëza (dhe u thamë): “Hani nga të mirat me të cilat ju dhuruam!” (e pse ishit përbuzës). Ata nuk na dëmtuan Ne, por e dëmtuan vetveten e tyre (ngase u dënuan).“
(El – A’rafë, 160)
Në këto ajete Allahu i madhëruar si begati ndaj bijve të Israilit ka theksuar që nga shkëmbi gufuan dymbëdhjetë kroje (burime), aq sa ishin fise të tyre, në mënyrë që të mos bëhej tollovi në një krua (burim), dhe kështu t’u lehtësohej.
Ja, kështu ata e dinin cili krua i takonte fisit, dhe kështu askush askujt nuk i bënte padrejtësi. Në lidhje me këtë, janë edhe fjalët e Pejgamberit tonë s.a.v.s.: “Përpiquni, ngase secilit i është lehtësuar qasja në atë që është i krijuar”. (Buhariu, 7112, Muslimi 2648)
Në lidhje me ajetet e përmendura, është jashtëzakonisht e rëndësishme që njeriu të jetë i vetëdijshëm me aftësitë dhe mundësitë e veta, me të cilat veçohet e që Zoti ia ka dhënë, dhe që të jetë ekspert në fushën adekuate. Njerëzit në aftësitë dhe mundësitë e tyre dallojnë shumë dhe vetëm pejgamberët kanë qenë të përsosur. Pra, njeriu duhet të merret me atë që është profesionist, poashtu të përparojë në profesionin e tij dhe të merret me inovacione, ngase inovacionet janë pjesë përbërëse e punës.
Nëse mendojmë për sjelljen e sahabëve r.a., do të konkludojmë se ata me tejet precizitet e kanë kuptuar këtë rregull të Kuranit, andaj në mesin e tyre ka pasur të tillë që janë dalluar në njohjen e shkencave fetare (fikhut, Kuranit, etj.), ndërsa tjerët janë dalluar në shkathtësitë luftarake, të tjerët në elokuencë.
Myslimanët sot nuk e kanë kuptuar fjalën e Kuranit: “Secili grup e dinte vendin ku do të pinte ujë.”, andaj shohim shumë njerëz potenciali i të cilëve nuk shfrytëzohet fare dhe merren me profesione që nuk u takojnë.
Këtë ajet të Kuranit duhet ta kuptojmë drejtë, sepse në këtë mënyrë do ta ruajmë potencialin tonë, i cili është tejet i dobishëm, e sidomos në kohën e sotit, kur ambiciet e myslimanëve janë të ndryshme.
Përkujtojmë ajetin kuranor:
“Thuaj: “Secili vepron sipas rrugës së vet, e Zoti juaj e di më së miri për atë që është në rrugë më të drejtë.”
(El – Israë, 84)
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi