DIKUSH JU KA OFENDUAR DHE LËNDUAR? MOS U DËSHPËRONI, POR LEXONI KËTË TREGIM
Disa të rinj duke parë një njeri të varfër, deshën të argëtohen. E rrethuan dhe filluan ta shajnë me fjalë të shëmtuara. Filluan t’ia përqeshin rrobat e leckosura, këmbët e zbathura, ngase ishte tejet i varfër. Filluan ta quajnë me emrat më të këqinj, por plaku i urtë aspak nuk u shqetësua. Me buzëqeshje i dëgjonte sharjet në llogari të tij. Ishte mbështetur në një gur dhe dukej i kënaqur me aktrimin e djelmoshave, gjë që i tërboi edhe më shumë ata. Hudhnin mbi të fjalë të rënda helmuese e lënduese. Plaku nuk përgjigjej fare, por vetëm buzëqeshte.
Në fund, djelmoshat u lodhën. I harxhuan të gjitha fjalët e shëmtuara. Plaku i pyeti: “A jeni të kënaqur? A thua ofendimi im ju kënaqi? Nëse jeni ju të kënaqur e të disponuar, edhe unë jam i kënaqur.”
E pyetën: “A thua nuk ndihesh i përqeshur dhe i ofenduar për këtë që ne bëmë me ty?”
Plaku i urtë u përgjigj: “Do t’i shpjegoj përse nuk më keni ofenduar dhe lënduar. Por sëpari, më përgjigjuni në pyetjen: Çfarë ndodh me letrën që i dërgohet personit të caktuar dhe ai nuk dëshiron ta pranojë letrën?”
Ata u përgjigjën: “Si, çfarë bëhet? Letra i kthehet atij që e ka dërguar.”
Plaku i urtë përsëri pyeti: “Nëse një personi dikush i dërgon dhuratë, por ai nuk e pranon, çfarë ndodh me dhuratën?”
Ata u përgjigjën: “Pyetje e marrë! Dhurata i kthehet dhuruesit, kujt tjetër?”
Atëherë plaku i urtë duke buzëqeshur tha: “Në të njëjtën mënyrë ndodh edhe me fjalët që dikush t’i drejton, ndërsa ti nuk i pranon, ato i kthehen dërguesit. Unë nuk i pranova fjalët tua. Për këtë ato ju kthyen juve. Andaj, në realitet gjatë gjithë kohës sa më keni sharë dhe ofenduar mua, ju e keni sharë dhe ofenduar veten tuaj!”