DO TË VIJË KOHË E ÇUDITSHME KUR . . .

Subhanallah, këto janë thënie të sahabëve dhe dijetarëve të mëparshëm – të folur i cili është shënuar dikur, por sikur jetojnë sot dhe flasin si është gjendja momentale në mesin e muslimanëve.

Aliu r.a. ka thënë: “Do të vijë koha kur për njerëzit brenga më e madhe do të jenë barqet, rregullimi i shtëpisë do të jetë nderi më i madh, kur gratë do të jenë kible, kur feja do të jetë dinarët dhe dirhemët. Këta do të jenë krijesat më të këqija të cilat tek Allahu nuk do të kenë kurrfarë vlere!” (Xhami’ul-Ehadis, nr. 26420)

Dahhak r.h.m. ka thënë: “Do të vijë koha ku Mus’hafi do të varet në mur nëpër të cilin merimangat do t’i thurin rrjetat e tyre, nuk do të shërbehen me të, ndërsa njerëzit do të veprojnë sipas tregimeve që transmetojnë dhe dëgjojnë!” (Xhami’u Bejanil-Ilmi ve Fadlihi, nr. 1005)

Ibn Abbasi r.a. ka thënë: “Do të vijë koha kur do të bëhen hallall pesë gjëra: alkooli të cilin njerëzit do ta quajnë me emra tjerë, korrupsionin që do ta quajnë dhuratë, vrasjen që do ta quajnë dyshim, prostitucionin që do ta quajnë bashkëjetesë, kamatën të cilën do ta quajnë tregti!” (El-I’itisam, 2/90)

Ibn Abbasi r.a. ka thënë: “Do të vijë koha kur njerëzit do të duan pesë gjëra e do t’i harrojnë pesë tjera: do ta duan dynjanë ndërsa do ta harrojnë ahiretin, do ta duan pasurinë e do ta harrojnë dhënien e llogarisë, do t’i duan krijesat e do ta harrojnë Krijuesin, do t’i duan mëkatet e do ta harrojnë pendimin, do t’i duan pallatet e do t’i harrojnë varret!” (Arkiv Multeka ehlil-Hadis nr. 40690, 34/358)

Ibn Abbasi r.a. ka thënë: “Do të vijë koha kur njerëzit do të lexojnë Kuran, mirë i theksojnë shkronjat e tij por nuk do t’i praktikojnë, mjerë për ata për këtë që dinë, dhe mjerë për ata që bëjnë këtë!” (El-Firdevs bi Me’esuril-Hitab, nr. 8686)

Ibn Abbasi r.a. ka thënë: “Do të vijë një kohë që njerëzit do të mendojnë një nga risitë (bid’at) dhe do ta vdesin ndonjë sunnet, përderisa risitë nuk mbijetojnë, ndërsa sunnetet nuk vdesin!” (El-Mu’uxhem el-Kebir, Taberani, 10/319)

Ibn Mes’udi r.a. ka thënë: “Do të vijë koha kur sunneti do të konsiderohet bid’at, ndërsa bid’ati sunnet, e mira e keqe, e keqja e mirë, dhe kjo do të ndodh atëherë kur njerëzit jepen pas dynjasë, pas mbretërve dhe sundimtarëve!” (El-Bide’u, Ibnu Veddah, nr. 232)

Ibn Mes’udi r.a. ka thënë: “Do të vijë koha kur njeriu do të divorcohet nga gruaja e tij pas së cilës do të mohojë se është divorcuar, pastaj do të flejë me të dhe do të jetë në prostitucion derisa janë bashkë!” (El-Mu’uxhem el-Evsat, nr. 4861)

Omeri r.a. ka thënë: “Do të vijë koha kur kryeparët e një vendi nuk do të urdhërojnë për të mirë dhe ndalin nga e keqja, kur do të zemërohen por vetëm për shkak të interesit të vet, ndërsa kur janë të kënaqur, janë vetëm për shkak të interesit të vet. Nuk do të zemërohen dhe as nuk do të kënaqen për hir të Allahut xh.sh.!” (Mahdul-Savab fi Feda’il Omer b. Hattab, 2/708)

Aliu r.a. ka thënë: “Do të vijë koha kur të vërtetën do ta mohojnë nëntë të dhjetët e njerëzve!” (Ez-Zuhd, Ahmed b. Hanbel, nr. 686)

Hudhejfe r.a. ka thënë: “Do të vijë koha kur bagla e gomarit për njerëzit është më e dashur se besimtari i cili urdhëron për të mirë dhe ndalon nga e keqja.” (Tefsirul-Kur’anil-Adhim, Taberaniu)

Hudhejfe r.a. ka thënë: “Do të vijë koha kur secila zemër do të mbushet me të keqe, ashtu që nuk do të mund të gjesh zemër që është e kursyer nga kjo!” (Es-Sunen el-Varida fil Fiten el-Dani, nr. 315)

Enes b. Malik r.a. ka thënë: “Do të vijë koha kur pasanikët do ta kryejnë haxhin për kursim dhe argëtim, të mesmit për tregti, të diturit për t’u treguar dhe për famë, ndërsa të varfërit për të lypur!” (Xhami’ul-Ehadis, bnr. 26429)

Ebul-Alije r.h.m. ka thënë: “Do të vijë koha kur besimtari do të jetë më i nënçmuar se robëresha. Më i mençuri do të konsiderohet ai që është dhelpër e vërtetë në fe!” (Ez-Zuhd el-Kebir, Bejhekiu, nr.145)

Ebu Abdullah r.h.m. ka thënë: “O Ebu Hafs, do të vijë koha kur besimtarin (mu’minin) do ta shohin si ndyrësirë, ndërsa hipokritin (munafikin) njerëzit me krenari do ta tregojnë me dorë . . .!” (El-Emru bil-Ma’ruf, Hallall, nr. 66)

Sufjan eth-Thevriu r.h.m. ka thënë: “Do të vijë koha kur trupat do të jenë të zhvilluar, ndërsa zemrat e vdekura!” (Hiljetul-Evlija, 7/82)

Ibrahim b. Ed’hemi r.h.m. ka thënë: “Do të vijë koha kur tri gjëra në vijim do të jenë të rralla: vëllai me të cilin do të shoqërohesh, dirhemi i fituar në mënyrë hallall dhe sunneti sipas të cilit do të punohet dhe veprohet!” (Ehadis fi Zemmil-Kelami ve ehlihi, nr. 950)

Ibrahim b. Ed’hemi r.h.m. ka thënë: “Do të vijë koha kur masa do të ketë pamjet njerëzve, ndërsa zemrat e ujkut, rinia dhe fëmijët do të jenë të tillë, ndërsa të moshuarit nuk do të urdhërojnë për të mirë dhe as nuk do të ndalojnë nga e keqja. Të prishurit në mesin e tyre do të jenë të famshëm, ndërsa besimtarët (mu’minët) në mesin e tyre do të jenë të urrejtur!” (El-Uzla vel-Infirad, nr. 106)

Ebul-Alije r.h.m. ka thënë: “Do të vijë koha kur Kurani do të zbehet në gjoksat e njerëzve ashtu siç zbehen rrobat. Në të nuk do të mbetet ëmbëlsi dhe kënaqësi. Nëse nuk i kryejnë ato që urdhërohen do të thonë: All-llahu është mëkatfalës dhe mëshirues. (El – Mumtehine, 12) Nëse bëjnë atë që është haram thonë: S’ka dyshim se All-llahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do. (En – Nisaë, 14)

Në çdo gjë do të jenë lakmitar, pa kurrfarë frike. Do të veshin lëkurën e qengjit në trup me zemra të ujkut. Sipas tyre besimtari më i mirë është ai që më së miri bën lajka!” (El-Muxhalesa ve Xhevahirul-Ilm, el-Dejnuri, nr. 2811, ez-zuhd, Ahmedi, nr. 1728)

Jusuf b. Esbati r.h.m. ka thënë: “Do të vijë koha kur do ta largojnë njeriun e mirë për shkak se nuk di të bëjë atë që bëjnë ata!” (Mu’uxhem, Ibnul-Mukri, nr. 781)

Mikdam b. Ma’adij Kerb r.h.m. ka thënë: “Do të vijë koha kur njeriut asgjë nuk do t’i bëjë dobi pos dobisë së dinarit dhe dirhemit!” (Islahul-Mal, Ibnu Ebil-Dunja, nr. 81)

Avn b. Abdullah r.h.m. ka thënë: “Do të vijë koha kur njerëzit më tepër do t’i kënaq dituria sesa veprat, ndejat sesa puna!” (El-Muxhalesa ve Xhevahirul-Ilm, nr. 1327)

Isa b. Zazan r.h.m. ka thënë: “Do të vijë koha kur shejtani do të jetë në sytë e njerëzve dhe kur të dëshirojnë të qajë, menjëherë do të qajnë!” (Ez-Zuhd, Ahmed b. Hanbel, nr. 1561)

Rexha b. Hajve r.h.m. ka thënë: “Do të vijë koha kur palma do të jep vetëm një hurmë!” (El-Derr el-Mensur, Sujuti, 2/74)

“Do të vijë koha kur vepra më e vlefshme e një njeriu do të jetë gjumi, ndërsa shkenca më e mirë – heshtja!” (Kutul-Kulub, 1/172)

“Do të vijë koha kur për një njeri më së miri do të jetë heshtja dhe fjetja!” (Ihja’u Ulumid-din, 2/163)

“Do të vijë koha kur do të lejohet korrupsioni në emër të dhuratës, vrasja në emër të dhënies shembull për tjerët, kur do të mbytet njeriu i pafajshëm në mënyrë që masa të merr mësim!” (Ihja’u Ulumid-din, 3/24)

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi