TREGIMI PËR NJË DASHURI TË VËRTETË

Ebu As b. Rebia erdhi te Pejgamberi s.a.v.s. dhe i tha:

“Dëshiroj të martohem me vajzën tënde të madhe, Zejnebën.”

Pejgamberi s.a.v.s. iu përgjigj: “Nuk lejoj pa marrë mendimin dhe pëlqimin e saj.”

Pejgamberi a.s. erdhi te Zejnebja dhe i tha: “Erdhi tek unë Ebu As b. Rebia dhe kërkoi dorën tënde. A je e kënaqur që ai të jetë bashkëshorti yt?”

Zejnebja u skuq në fytyrë, por prapë buzëqeshi në shenjë pajtimi.

Zejnebja u martua me Ebu Asin dhe kështu filloi një tregim interesant për një dashuri të madhe. Ajo me të lindi djalin Aliun, dhe vajzën, Umame.

Pastaj, ndodhi që Pejgamberi a.s. e mori shpalljen kur Ebu Asi ishte në udhëtim.   Kur u kthye, e gjeti Zejneben si muslimane. U largua nga ajo duke i thënë: “Ka qenë dashur të konsultohesh me mua para se ta pranosh islamin.”

Ajo i tha: “Nuk kam mundur mos t’i besoj babait tim. Ai kurrë nuk ka gënjyer. Përveç meje, e pranuan islamin edhe nëna ime, motrat e mia, Aliu, burri i tezës tënde, Othmani, dhe miku yt më i madh, Ebu Bekri.”

Ai u përgjigj: “Sa më përket mua, nuk dua që populli të më nënçmojë se e kam lënë fenë e të parëve të mi për shkak të gruas sime. Besoj se më kupton.”

Ajo i tha: “Po si jo. Unë jam bashkëshortja yte, premtoj që do të ndihmoj që ta kalosh këtë pengesë dhe ta pranosh të vërtetën.”

Ajo i mbeti besnike plot njëzet vjet.

Ebu Asi mbeti në mosbesim. Vjen hixhreti. Zejnebja vjen te Pejgamberi a.s. dhe i thotë: “A më lejon të mbetem me burrin tim?”

Pejgamberi s.a.v.s. i tha: “Qëndro me burrën tënd dhe fëmijët e tu.”

Ajo qëndroi në Meke derisa ndodhi lufta e Bedrit. Ebu Asi vendosi t’i bashkohej ushtrisë së idhujtarëve në luftë kundër muslimanëve.

Burri i Zejnebës do të luftojë kundër babait të saj.

Zejnebja iu frikësua këtij momenti. Qante dhe bënte lutje: “O Allahu im, unë i frikësohem agimit të kësaj dite, ndërsa fëmijët e mi do të mbesin jetimë, ose do ta humb babain tim.”

Ebu Asi në Bedër mbet i robëruar.

Zejnebja posa dëgjoi për fitoren e muslimanëve, ra në sexhde dhe falënderoi Allahun. Pyeti për burrin e saj, i thanë se është robëruar. Ajo tha se do të dërgojë shpagim për të, dhe e hoqi qaforen e saj nga qafa të cilën ia kishte dhuruar nëna e saj, Hatixheja r.a., si dhuratë martesore dhe ia dërgoi Pejgamberit a.s. Kur e pa qaforen e bashkëshortes së saj, Pejgamberi s.a.v.s. qajti. Pyeti se për kë është dërguar kjo. I thanë për dhëndrrin tënd, Ebu Asin.

U ngrit dhe tha: “O njerëz, nëse nuk keni asgjë kundër, më lejoni ta liroj dhëndrrin tim dhe t’ia kthej qaforen vajzës.”

“Gjithsesi, o Pejgamber i dashur.” – u përgjigjën sahabët.

Pejgamberi a.s. i dha qaforen dhëndrrit dhe i tha: “Thuaj Zejnebës ta ruajë mirë qaforen e Hatixhës.”

E tërhoqi anash dhe i tha: “O Ebu As, Allahu më ka urdhëruar që ta ndaj secilën muslimane nga pabesimtarët. Andaj, a ma kthen vajzën time?”

Ai tha: “Po.”

Kur u kthye, ia kumtoi lajmin Zejnebës dhe i tha të bëhet gati të kthehet tek babai në Medine. Ajo i tha: “Përse nuk e pranon islamin dhe nisesh me mua?”

Ai tha: “Jo.”

Kështu Zejnebja e mori djalin dhe vajzën dhe shkoi në Medine.

Gjashtë vjet sahabët më të njohur i ofruan martesë Zejnebës, por ajo të gjithë i refuzoi, duke shpresuar se do t’i kthehej burri i saj.

Pak para çlirimit të Mekës, Ebu Asi shkoi në krye të karvanit për tregti në Sham. Duke u kthyer në Mekë me karvanin prej njëqind deveve të ngarkuara dhe njëqind e shtatëdhjetë njerëzve të armatosur, doli një njësi ushtarake muslimane te Medineja që ishte duke patrulluar dhe e robëruan tërë karvanin dhe njerëzit e tij, por ai arriti të ikë.

Kur u afrua nata, hyri tinëz në Medine, erdhi te shtëpia e Zejnebës dhe kërkoi mbrojtje nga ajo. Ajo e pranoi.

Në mëngjes, kur Pejgamberi a.s. erdhi të fal namazin e sabahut, gjatë tekbirit fillestar Zejnebja me zë të lartë nga dera e xhamisë bërtiti: “O njerëz, unë jam Zejnebja, e bija e Pejgamberit, i kam dhënë mbrojtje Ebu Asit, jepni edhe ju.”

Kur Pejgamberi a.s. përfundoi namazin, tha: “O njerëz, a dëgjuat edhe ju atë që dëgjova unë?”

Ata u përgjigjën: “Po, i Dërguar i Allahut.”

Atëherë, Pejgamberi a.s. tha: “O njerëz, këtij njeriu si dhëndërr asgjë nuk ia kam parë për të madhe, çdo herë ka folur të vërtetën, premtimin e ka mbajtur. Nëse pranoni, t’ia kthejmë mallin e tij, e nëse nuk pranoni, keni të drejtë, nuk do t’u shoh për të madhe.”

“Po, i Dërguar i Allahut, ia kthejmë mallin e tij.” – u përgjigjën sahabët.

Zejnebja i tha: “O Ebu As, prano islamin e kthehu në familjen tënde.”

Ai tha: “Jo.”

E mori mallin, arriti në Mekë dhe gjithë njerëzve u ktheu mallin e tyre dhe u nis për në Medine. Arriti në mëngjes dhe erdhi te Pejgamberi a.s. duke i thënë: “O i Dërguar i Allahut, dje më mbrojte, e sot erdha që të them Shehadetin.”

Pastaj tha: “A më lejon të kthehem te Zejnebja?”

Pejgamberi a.s. e mori për dore, trokiti në derën e saj dhe tha: “O Zejnebe, burri yt erdhi, a e pranon?”

Fytyra iu skuq, por prapë buzëqeshi.

Një vjet pas kësaj ngjarje, Zejnebja vdiç. Burri i saj aq shumë qante, saqë njerëzit kishin parë Pejgamberin a.s. duke ia fshirë lotët dhe duke e ngushëlluar, ndërsa ai thoshte: “Pasha Allahun, o i Dërguar Allahut, unë nuk mund ta përballoj jetën pa Zejnebën.”

Vdiç një vjet pas Zejnebës.

A keni parë ndonjëherë këso dashurie dhe besnikërie?

Ky është Islami. Ky është bontoni islam, kultura dhe civilizimi islam që bartën gjeneratat e para.

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi