E SHES FËMIUN TIM PËR 100 EURO
Mendo vëlla e motër veten duke shëtitur në qendër të qytetit dhe papritmas e sheh besimtarin apo besimtaren duke qëndruar në qendër të qytetit me mbishkrim: E shes këtë fëmi timin për 100 euro.
Para se të vazhdosh ta lexosh këtë tregim të vërtetë që do ta ndaj me ty, dëshiroj që këtu të ndalesh me lexim dhe t’i përgjigjesh vetit në pyetjen në vijim: Çfarë do të mendoje në këtë moment për nënën apo babain i cili mu në qendër të qytetit e shet fëmiun e vet?
Në biografinë e vet në të cilën përshkruan ikjen e tij nga Korea Veriore, një poet nga ky vend i ka përshkruar disa përjetime të tij. Në mes tjerash, ky poet shkruan: “Me ditë të tëra, shëtisja i uritur, duke menduar për 100 won të cilët që moti i kisha harxhuar dhe dëshiroja fuqishëm t’i kem për të blerë disa kifle. Kështu në këtë gjendje të mjerë duke shëtitur në qendër të një tregu vërejta njerëzit e tubuar. Kur u afrova, vërejta një grua me kokë të ulur e afër saj një vajzë nëntë vjeçare. Në qafën e kësaj vajze ishte varur mbishkrimi “E shes vajzën time për 100 won”.
Vajza sikurse e ëma qëndronte e qetë me shikim të drejtuar në tokë.”
Derisa ky poet e shikonte këtë i shokuar, dëgjonte sesi njerëzit e tubuar me ton të lartë e lëndonin dhe ofendonin këtë grua, ndërsa ajo nuk fliste fare. Poeti në vete pyeste a thua në sytë e kësaj nëne vajza e saj nuk vlen më shumë se 100 won?!
Gruaja qëndronte e qetë dhe dëgjonte ofendimet: “Nënë e prishur! Lavire! Person i keq! Turp i llojit njerëzor! Përse nuk flet, a je shurdhmemece?!”
Dhe ofendime tjera. Një njeri, papritur u afrua dhe ia ofroi 200 won duke i thënë që me vajzën të shkojë në shtëpi, mirëpo kjo grua me këmbëngulësi refuzonte këto të holla, duke qëndruar pa lëvizur.
Njerëzit filluan edhe më tepër ta ofendojnë për sjelljen e saj të pakuptimtë. Papritmas u paraqit një polic dhe filloi ta shajë këtë grua, duke i thënë sesi e proklamon kapitalizmin, duke përqeshur pushtetarët e këtij vendi. Polici aq shumë u zemërua saqë filloi ta godas në supe, gjë që shkaktoi pakënaqësi të madhe te njerëzit që e rrethonin.
Njerëzit filluan t’i thonë policit ta lë gruan të qetë se është shurdhmemece. Vajza e cila qëndronte pranë nënës me vaj të befasishëm bërtiti: “Lëni nënën time, ajo nuk është grua e keqe, mjeku i ka thënë se ka edhe pak kohë deri te vdekja, ndërsa baba nuk kam, për këtë kjo bën kështu.”
Njerëzit e tubuar mbetën të shtanguar nga fjalët e saj dhe filluan të ndiejnë keqardhje për këtë situatë. Një zotëri me uniformë oficeri iu afrua gruas, ia dha 100 won dhe i tha: “Mos u brengos, unë do ta marr vajzën dhe do të kujdesem për të.” Gruaja mori të hollat dhe u zhduk shpejtë, saqë njerëzit u habitën me këtë veprim. Shpejtë u kthye kjo grua duke bartur në dorë një qese me kifle dhe me zë vajtues tha: “Më fal bija ime, nuk kam asgjë për të dhënë përpos kësaj, më fal, unë jam e mjerë dhe e paaftë, më fal për çdo gjë, nuk jam në gjendje të ofroj asgjë.”
Nëna u nda nga vajza, ndërsa polici dhe tjerët u shpërndanë të prekur thellë nga kjo ngjarje.
Të nderuar vëllezër dhe motra, e ndava me ju këtë ngjarje të vërtetë, ngase në të ka një mesazh të madh.
Vëlla dhe motër, mos e mendo më të keqen për vëllain dhe motrën tënde kur e sheh që gabon ose kur e vëren në gjendje që nuk i ka hije muslimanit.
Ndihmoji nëse mundesh, këshilloje dhe lutu për të, mos u bëj shkas i dyshimit dhe përhapjes së pavërtetës:
“O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit dhe mos përgojoni njër-tjetrin, a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni. Kini frikë nga ndëshkimi i Allahut, e Allahu është mëshirues. Ai pranon shumë pendimin.”
(El – Huxhuratë, 12)
Kur e sheh që Allahu e ka vënë në sprovë vëllain apo motrën, lute Allahun xh.sh. që t’u lehtësojë dhe t’u jep dalje nga situata, dhe kërko nga Allahu që të ruajë nga kjo sprovë. Kujto që në çfarëdo sprove që vihesh, përkujto Allahun dhe ka njerëz në gjendje më të vështirë se e ytja. Ky poet me ditë kishte fantazuar për qesen me kifle dhe ishte në sprovë të madhe për ta hasur personin në sprovë edhe më të madhe që për të njëjtën qese ta shes vajzën e saj. Mendoni për këtë rast të kësaj ndodhie të vërtetë ku gjithë njerëzit së bashku pa përjashtim i thonin ofendime kësaj nëne edhe pse nuk dinin asgjë për të.
Ka thënë i Dërguari i Allahut, s.a.v.s.: “I çuditshëm është rasti i besimtarit! Çdo gjë që i ndodh është e mirë për të. Kjo nuk vlen për askënd, pos për besimtarin. Nëse i ndodh ndonjë e mirë, falënderon dhe kjo i shkruhet vepër e mirë, por nëse e godet ndonjë fatkeqësi, duron dhe kjo i shënohet vepër e mirë.” (Muslimi)
Nga e gjithë e përmendura mos i lejo vetit të bartësh dyshime ndaj besimtarëve, të përgojosh ose t’i bartësh fjalët e tjerëve, ose dikënd ta nënçmosh ose përqeshësh. Personi të cilin Allahu e ka vënë në sprovë ndoshta është në shkallë më të lartë se ti, mos u bëj pjesë e problemit, por përpiqu të jesh pjesë e zgjidhjes, e nëse nuk je në gjendje, atëherë mos fol atë që nuk di, ashtu siç bëri grupi i njerëzve i cili e ofendonte dhe lëndonte gruan me vajzën.
Disa prej dobive të sprovës:
- Falja dhe fshirja e mëkateve dhe veprimeve të këqija.
- Rritja e derexheve dhe famës në ahiret.
- Mundësia që të kuptohen dhe ndihen lëshimet ndaj të drejtave të Allahut, qortimi dhe gjykimi i nefsit.
- Hapja e dyerve të pendimit, përulësia para Allahut të madhërishëm.
- Forcimi i lidhjes në mes robit dhe Zotit.
- Përkujtimi në dënimin dhe dhembjen në botën tjetër.
- Forcimi i bindjes dhe besimit në përcaktimin e Allahut (kader).
- Përkujtimi në vdekjen dhe shikimi i esencës së vërtetë të dynjasë.
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi