FALEMINDERIT JAKUBIT, a.s., NGA TREGIMI I TIJ KAM MËSUAR QË NDONJËHERË TJERËVE U JAPIM ARMËN ME TË CILËN LUFTOJNË KUNDËR NESH

Faleminderit Jakubit, a.s., nga tregimi i tij kam mësuar që njerëzve nuk duhet t’u flasim për të gjitha begatitë që na ka dhënë Allahu, xh.sh., sepse disa sy dhe shikime janë sikur shigjetat helmuese. Kjo ishte këshilla e parë që Jakubi, a.s., ia dha djalit të tij të dashur, Jusufit, duke i thënë:

O biri im, mos u trego ëndërrën tënde vëllezërve tu, se po të bëjnë ndonjë dredhi…“

(Jusuf, 5)

Faleminderit Jakubit, a.s., nga tregimi i tij kam mësuar që mos t’i zbuloj frikët e mia në mënyrë që njerëzit mos t’i shfrytëzojnë kundër meje. Kur Jakubi, a.s., u tha djemve të tij, të cilët kërkuan nga ai që ta dërgojë Jusufin për të luajtur me të: “Unë kam frikë se do ta hajë ujku, kur mungon kujdesi juaj për të…”, ata e shfrytëzuan këtë dhe kur e hudhën Jusufin në pus, erdhën dhe i thanë Jakubit, a.s.:

            “O babai ynë, ne shkuam të bëjmë gara, e Jusufin e lamë te teshat tona dhe atë e kishte ngrënë ujku. Ti nuk do të na besosh neve, edhe po të jemi të vërtetë!”

(Jusuf, 17)

Ndonjëherë tjerëve u japim armë me të cilat luftojnë kundër nesh.

Faleminderit Jakubit, a.s., nga tregimi i tij kam mësuar që sulmet dhe goditjet vijnë nga nuk i presim, por goditjet nga të afërmit janë më të dhembshme se goditjet nga të panjohurit, sepse ata dinë saktë ku ta ngulin shtizën, ngase në këtë goditje është shija e dëshpërimit. Jusufi, a.s., shpëtoi nga ujku, por nuk arriti të shpëtojë nga vëllezërit. Jakubi, a.s., ishte i qetë nga sulmet dhe lëndimet e njerëzve tjerë, por mori goditje të fortë nga fëmijët.

Faleminderit Jakubit, a.s., nga tregimi i tij kam mësuar që besimtari asnjëherë nuk dëshpërohet dhe asnjëherë nuk humb shpresën në mëshirën e Allahut, dhe ibadeti më i mirë është pritja e lehtësisë nga Allahu, ngase Allahu vepron ndaj robit të Tij, ashtu siç ai mendon për Allahun. Forca e imanit të Jakubit, a.s., dhe mbështetja e tij e plotë tek Allahu erdhën në shprehje kur u tha bijve të tij:

            “O bijtë e mi, shkoni dhe hulumtoni (në Egjipt) për Jusufin dhe vëllain e tij, e mos e humbni shpresën nga mëshira e All-llahut, pse vetëm populli jobesimtar e humb shpresën në All-llahun.

(Jusuf, 87)

Faleminderit Jakubit, a.s., nga tregimi i tij kam mësuar që kërkimi nga dikush tjetër pos Allahut është poshtërim; t’i ankohesh tjetrit në gjendjen e rëndë pos Allahut është rrugë e cila udhëheq tek dyert e gabuara, ndërsa mbështetja tek krijesat është rrugë në dëshpërim. Kur të gjitha dyert u mbyllën, ndërsa pikëllimi arriti kulminacionin, Jakubi, a.s., tha:

            “Unë hidhërimin tim dhe pikëllimin tim ia parashtroj All-llahut, e unë di për All-llahun atë që ju nuk e dini!

(Jusuf, 86)

Faleminderit Jakubit, a.s., nga tregimi tij kam mësuar që dashuria e ka aromën të cilën i dashuruari e ndien me zemër sesa me shqisën e aromës. Kur Jakubi, a.s., tha:

            “…Unë po e ndiej erën e Jusufit…

(Jusuf, 94)

i thanë:

            “Për All-llahun, ti vërtet qëmoti je në humbje.“

(Jusuf, 95)

Kush do t’i bindë urrejtësit që edhe me zemër mund të ndihet aroma dhe zemrat asnjëherë nuk e gabojnë aromën e të dashurit.

Faleminderit Jakubit, a.s., nga tregimi i tij kam mësuar që i munguari kthehet; djalin të cilin e patën ndarë nga babai u kthye si sundimtar (ministër i financave) i tërë Egjiptit; dhe i sëmuri do të shërohet. Të parët që Jakubi, a.s., e kishte humbur nga pikëllimi dhe lotët për djalin, Jusufin, a.s., iu kthye si më parë; dhe që të ndarët do të bashkohen. Bijtë e Jakubit, a.s., që ishin të ndarë, përsëri u bashkuan me prindërit e tyre.

Faleminderit Jakubit, a.s., nga tregimi i tij kam mësuar që ëndrra e sinqertë gjithmonë realizohet, kur Jusufi, a.s., tha:

            “O ati im, kjo është domethënia e ëndrrës sime të mëparshme. Zoti im këtë tanimë e bëri realitet…

(Jusuf, 100)

 

Ed’hem Sherkavi

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi