HUTBEJA E SHEJTANIT BANORËVE TË XHEHENEMIT

Allahu neve na ka krijuar, Ai është i Vetmi Zot, Ai është i Gjithëdijshëm. Dituria e Tij përfshin të kaluarën, të tanishmen dhe të ardhmen. Nga mëshira e Tij e pafund ndaj nesh, robërve të rëndomtë, Allahu na lajmëron për gjëra të ndryshme qofshin nga e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Në kaptinën Ibrahim, Allahu i Madhërishëm na lajmëron për hutben e shejtanit që do t’ju mbajë atyre që e kanë pasuar, pasi që Allahu do t’i gjykojë robërit e Tij.

Atëherë banorët e Xhenetit do të hyjnë në hapësirat e Xhenetit, ndërsa pabesimtarët do të hyjnë në zjarrin dhe humnerat e Xhehenemit dhe atëherë do të ngritet Iblisi, Allahu e mallkoftë, në mesin e fqinjve të tij xhehenemli, do të hypë në minber prej zjarrit dhe do ta mbajë hutben e vet që është fjala e tij përfundimtare për të gjitha intrigat dhe mashtrimet që i ka bërë. Dhe nuk e bën këtë për ta përmirësuar gjendjen e tyre, por flet që edhe më shumë t’i pikëllojë dhe dëshpërojë ata, në mënyrë që shkatërrimin e tyre në xhehenem edhe më shumë t’ua rritë.

Dhe atëherë do të thotë: “Vërtet, Allahu ju pat premtuar premtim të vërtetë…”, d.m.th. përmes pejgamberëve të Tij, a.s., ju premtoi që nëse i pasoni të dërguarit e Tij, do të keni sukses dhe do të shpëtoni në dy jetët, do t’u japë udhëheqjen në Tokë dhe do t’u japë begati të panumërta.

“…E unë ju kam premtuar dhe qe nuk e zbatove (ju tradhtova) premtimin ndaj jush…”, ashtu siç ju paralajmëroi Allahu i Madhëruar: “Ju premton dhe ju garanton, por në të vërtetë shejtani nuk u premton asgjë pos shkatërrim të sigurtë.”

Pastaj, do të vazhdojë Iblisi, Allahu e mallkoftë: “…Po unë nuk pata kurrfarë pushteti ndaj jush…”, d.m.th. nuk kam pasur as argumente të vlefshëm.

“…Përpos që ju thirra (në rrugë të gabuar) e ju mu përgjigjët…”, d.m.th. unë ju thirra në mëkat dhe mosbindje, e ju mu përgjigjët.

“…Atëherë, pra mos më qortoni mua, po qortoni veten…”, d.m.th. për shkak që edhe ju jeni në zjarrin e xhehenemit, sikurse unë.

“…Unë nuk mund t’ju shpëtoj (ndihmoj) juve, as ju nuk mund të më shpëtoni (ndihmoni) mua…”, d.m.th. të gjithë jemi në zjarrin e xhehenemit plotësisht pa ndihmë dhe të turpëruar.

“…Unë mohoj shoqërimin tuaj që më bëtë mua më parë (më adhuruat në vend të Zotit)…”, d.m.th. unë mohoj të gjitha shkaqet e shirkut tuaj (përmend Katade).

            “…S’ka dyshim, pabesimtarët kanë dënim të dhembshëm.”

(Ibrahim, 22)

Komentuesi esh-Shevkani, përmend që Iblisi kur e mban këtë hutbe në zemrat e pabesimtarëve rritet frika dhe dhembja.

Ai poashtu përmend edhe shkaqet e hutbes së tij dhe thotë: “Ai dëshiron të shpjegojë esencën e vëretë të gjërave në mënyrë që dhembja të jetë edhe më e madhe dhe ju përmend shtatë gjëra (të përmendura) si argumente të pakontestueshme të shkatërrimit të tyre.”

Dhe ata edhe më herët do të thonë:

“…Për ne tash është njësoj, u pikëlluam thellë ose duruam, për ne nuk ka ikje (shpëtim).“

(Ibrahim, 21)

            “…Po ta dinin, ata se për ç’ka e shitën vetveten, ajo është shumë e keqe.“

(El – Bekare, 102)

I lutemi Allahut, xh.sh., që mos të bëhemi prej atyre që do ta dëgjojnë këtë hytbe, i lutemi që të na ruajë nga zjarri i xhehenemit, i lutemi që të na ruajë nga intrigat e shejtanit, dhe i lutemi të na shpiejë në Xhenetin e Tij.

Amin, ja Erhamer-Rrahimin.

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi