KATËR SHKASE PËR TË CILAT FYTYRA E ÇDO MUSLIMANI DUHET TË GËZOHET
Ka shumë shkase që fytyrat tona duhet të jenë përplot gëzim, hare dhe të zbukuruara me buzëqeshje dhe lumturi, me buzëqeshjen e ibadetit dhe falënderimit ndaj Allahut të madhërishëm, po ja ne do të përmendim vetëm disa.
Shkaku i parë: Fjala e Allahut – Kurani, lajm i gëzuar, mëshirë, ilaç, gjindet në mesin tonë, qasje për të gjithë. Gjithashtu kemi edhe sunnetin e Pejgamberi s.a.v.s. Kemi këto dy burime të pashtershme, burime të pijshme që ujitin zemrat tona dhe pastrojnë shpirtrat tonë.
Shkaku i dytë: Për lumturi është udhëzimi që na ka dhënë Allahu. A nuk është shkas për lumturi që Allahu i Gjithëmëshirshëm na ka zgjedhur që në mesin e gjithë njerëzve tjerë të jemi musliman. Imani është dhurata më e vlefshme që njeriu mund ta marrë.
Shkaku i tretë: Është që dyert e faljes së Allahut janë gjithmonë të hapura, siç thotë në Kuran:
“Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!”
(Ez – Zumer, 53)
Ka thënë Pejgamberi s.a.v.s.: “Kush sinqerisht pendohet dhe kërkon falje, është si ai që nuk ka bërë mëkate.” (Ibn Maxhxheh, Hakimi, hadithi hasen)
Shkaku i katërt: Nëse Allahu xh.sh. nga urtësia e Tij të ka dhënë pak pasuri, prapë të ka dhënë mundësinë të japësh lëmoshën (sadakën) dhe të gëzosh të tjerët. Ka thënë Pejgamberi s.a.v.s.: Buzëqeshja ndaj vëllaut (musliman) është sadakë.” (Buhariu, Tirmidhiu, hadithi sahih)
Nëse nuk je në islam, lutju Allahut Bujar i Cili mund të udhëzojë siç thotë në Kuran:
“All-llahu veçon për të (për besim të drejtë) atë që do dhe e udhëzon në të atë që i drejtohet Atij.“
(Esh – Shura, 13)
Nëse thua çfarë do të ndodh me mëkatet që ke bërë para islamit, përgjigjja është në këtë hadith.
Transmetohet nga Amr b. Asi r.a. i cili ka thënë: “Kur Allahu bëri që islami të hyjë në zemrën time, erdha te Pejgamberi s.a.v.s. për ta pranuar islamin. Më zgjati dorën e djathtë të tij, ndërsa unë e tërhoqa dorën time, dhe ai pyeti: “Ç’është me ty, Amr?” I thashë: “Dëshiroj kusht!” Më pyeti: “Cili është kushti yt?” I thashë: “Të më falen mëkatet që i kam bërë përpara.” Tha: “A nuk di që islami i shlyen (anulon) mëkatet e mëparshme, edhe hixhreti i anulon mëkatet e mëparshme, edhe haxhi i anulon mëkatet e mëparshme?” (Muslimi)
Për këtë arsye, o rob i Allahut, mos humb shpresën, largoje pikëllimin dhe pesimizmin, kthjellu në fytyrë, dhe pranoje lajmin e gëzuar, mëshirën dhe udhëzimin me gjithë zemër.
Përgëzoji edhe tjerët, bëji ata të lumtur, takohu me ta me fytyrë të buzëqeshur, sepse ndoshta mu buzëqeshjet tua do të mbipeshojnë në peshoren e veprave të mira në ditën e Gjykimit.