KËRKO FURNIZIM NGA ALLAHU

Kishin qenë dy të varfër. Njëri prej tyre i lutej Allahut xh.sh., duke thënë: “Ja Ma’bud, më furnizo dhe më begato!”, ndërsa i dyti i lutej mbretit, duke thënë: “Ja Mahmud!”

Fqiu i tyre e mori vesh mënyrën e lutjes që ata bënin dhe i tregoi mbretit.

Mbreti i thirri të dy dhe u bind në mënyrën e lutjes dhe urdhëroi të therren dy pata. Në njërën futi dhjetë flori e në tjetrën jo. Patën me flori ia dha atij që thërriste mbretin “Ja Mahmud”. Ndërsa atij që thoshte “Ja Ma’bud”, në patën e tij nuk futi asnjë flori. Mbreti urdhëroi disa përcjellës të shohin mos eventualisht do t’i ndërrojnë patat e pastaj t’i kthejnë te ai.

Pasi dolën nga pallati, ai që e mori patën me flori iu duk se pata e shokut të tij ishte më e madhe dhe e luti shokun: “Ma jep patën tënde, se qenka më e madhe se e imja, ngase unë kam më shumë fëmijë.”

Pas shumë lutjeve, pranoi kërkesën dhe ia dha patën e tij. Kur u kthyen te mbreti, ai urdhëroi që të hapen patat dhe mbreti mbeti i habitur kur pa se pata me flori ishte te i varfëri që ishte lutur Allahut xh.sh. Në këtë tha: “Pata me flori me të drejtë i takon atij që i drejtohet Ma’budit, e jo atij që i drejtohet Mahmudit.”

 

*     *     *

 

Njëherë Ebu Jezidi mbante ligjëratë në xhami dhe me atë rast fjalët e tij mahnitëse tek ata që ishin prezent shkaktoi një ekstazë të vërtetë. Në atë moment u paraqit një njeri i cili iu afrua Ebu Jezidit dhe i tha: “O ti që udhëzon në rrugë të vërtetë! Fjalët tua janë me kaq ndikim në shpirt. E kam humbur gomarin, andaj të lutem që me mundësitë tua të ma gjesh.”

Ebu Jezidi tha: “Bëhu pak i durueshëm se ta kam gjetur.” Dhe duke vazhduar bisedën e tij, Ebu Jezidi iu drejtua atyre që ishin prezent: “O besimtarë, nëse në mesin tuaj është dikush që nuk ka qenë asnjëherë i dashuruar, le të ngritet në këmbë!”

Në atë moment, u ngrit në këmbë një plak dhe tha: “O Ebu Jezid, unë asnjëherë nuk kam qenë i dashuruar. Për dhembjet e dashurisë nuk di asgjë. Dhe bile nuk di fare as për fjalën dashuri, e lëre më ta kem përjetuar atë.”

Në këto fjalë, Ebu Jezidi u drejtua kah njeriu i cili e kishte humbur gomarin dhe i tha: “Ja, miku im, ky është gomari që ti e kërkove, merre me vete!”

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi