MËSHIRA E ALLAHUT – MBRETI DHE I URTI
Mbreti i plakur e kishte zakon të bisedojë me mikun e tij të kahmotshëm, plakun e urtë.
Një ditë i tha: – Ti thua se njeriu i cili njëqind vjet ka bërë vepra të këqija mund të hyjë në Xhennet, nëse pendohet dhe i lutet Zotit që ta falë. Ndërsa thua që njeriu i cili e ka bërë vetëm një mëkat të madh dhe nuk pendohet, do të hyjë në zjarr. A është e drejtë kjo? A thua të këqijat njëqind vjeçare janë më të lehta se një mëkat i vetëm?
Plaku i urtë buzëqeshi dhe tha: – Nëse e marr një gur dhe e hudhi në liqen, a do të fundoset, apo do të notojë?
– Do të fundoset. – u përgjigj mbreti.
– Nëse marr njëqind gurë të mëdhenj dhe i vendosi në barkë, gurët a do të fundosen, apo do të notojnë me barkën?
– Do të notojnë. – u përgjigj mbreti.
– A thua njëqind gurët në barkë janë më të lehtë se një gurë?
Mbreti u hutua dhe nuk diti të përgjigjej.
Atëherë, i urti i shpjegoi: – Kështu, o mbret, është edhe me njerëzit. Kur njeriu i cili bën mëkate shumë, pendohet dhe mbështetet në Zotin, nuk do të bie në zjarr. Përkundrazi, njeriu i cili ka bërë një mëkat, por nuk mbështetet në mëshirën e Zotit, shkatërrohet.