MREKULLIA E KURANIT

Kur Allahu xh.sh. flet për kërkesat tona për gjërat e kësaj bote, Ai shërbehet me termin – femshu – ecni, shkoni:

            “Ai është që juve tokën ua bëri të përshtatshme, andaj ecni nëpër pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij, meqë vetëm te Ai është e ardhmja.

(El – Mulk, 15)

Kur flet për namazin, Allahu xh.sh. shërbehet me termin – fes’au – nxitoni:

            “O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejtë për aty ku përmendet All-llahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin), e lini shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini.“

(El – Xhumu’a, 9)

Kur flet për kërkimin tonë të Xhennetit, Ai shërbehet me termin – sabiku – garoni:

            “Shpejtoni në atë që fitoni falje prej Zotit tuaj dhe xhennetin që gjerësia e tij është si gjerësia e qiellit e tokës, i përgatitur për ata që i besuan All-llahut dhe të dërguarve të Tij. Ajo është dhunti e All-llahut që ia jep kujt të dojë, e All-llahu është dhurues i madh.“

(El – Hadid, 21)

Kur flet për kërkimin tonë të Tij, Ai shërbehet me termin – fe firr-rru – ikni:

“Pra, ikni e mbështetuni tek All-llahu, unë prej Tij jam një qortues i hapët.“

(Edh – Dharijatë, 50)

Secila ambicie nuk kërkon sasinë e mundit të njëjtë. Duke pasur parasysh ato që u përmendën më lartë, mendoni për jetën tuaj, për ambiciet tuaja në çfarë i shfrytëzoni. A thua të përmendurat i aplikojmë tek vetja? Apo e kemi çrregulluar këtë standard të Kuranit, ku “ecim” kah Allahu xh.sh. ndërsa “nxitojmë” në çdo tjetër pos Atij?

Le të jetë moto e jetës sonë fjalët e Musait a.s. i cili ka thënë:

            “. . . Unë u nguta te ti, o Zoti im, që të jeshë i kënaqur ndaj meje!”

(Ta Ha, 84)

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi