NJERËZIT JANË SIKURSE DEVETË

Abdullah ibn Omeri r.a. tregon që Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Njerëzit janë sikurse devetë. Nga njëqind vështirë mund ta gjesh njërën për kalërim”. (Muttefekun alejhi)

Me këtë hadith, Pejgamberi s.a.v.s. në realitet ka aluduar tek njerëzit, marrëdhëniet e tyre dhe besimin e ndërsjellë. Sikur që është vështirë të gjesh në njëqind deve një të dëgjueshme dhe të mirë për kalërim, kështu është edhe në mesin e njerëzve. Pak ka të sinqertë, besnikë, tek të cilët mund të kesh mbështetje, të cilëve mund t’u besosh dhe t’i provosh dhe të cilët janë miq të vërtet dhe bashkëudhëtar të jetës. Këta janë ata që nuk e tradhtojnë, lënë dhe mashtrojnë vëllain e vet të fesë.

Kjo është për shkak të ndryshimit të njerëzve dhe mentaliteteve të tyre, për shkak të dallimit të tyre në sjelljet me njerëzit në situata të ndryshme.

Disa dijetarë shkojnë edhe më larg dhe me këtë hadith thuhet sa ka pak besimtarë të sinqertë.

Ndonjëherë me njerëz është vështirë të komunikosh, ashtu siç është vështirë të kalërosh në devenë e padresuar dhe të pabindur, andaj është art i vërtet që të gjindet personi i sinqert, me të cilin lehtë do të vendosësh kontakt dhe mbajtjen e lidhjeve të bukura.

Hadithi poashtu tregon se të gjithë jemi njerëz të ekspozuar mangësive dhe rrallë mund të gjesh njeri që ka uzdajë dhe kualitete të personave besnik. Sikur të dëshironim që nga njerëzit të zgjedhim ata që janë të aftë për funksione të ndryshme, njerëz të aftë për mësim, për dhënien e fetvave, për të udhëhequr njerëzit, ngase ka pak të tillë që posedojnë të gjitha kualitetet e nevojshme dhe karakteristikat e domosdoshme.

Transmetohet që Sehl et-Tusteriu pa shumë njerëz duke hyrë dhe dalur nga xhamia dhe tha: “Pasues të La ilahe il-lall-llah ka shumë, por pak ka të sinqertë”.

Në këtë kuptim tregojnë edhe ajetet e Kuranit Fisnik:

            “E nga robërit e Mi, pak janë mirënjohës.

(Sebeë, 13)

Është e vërtetë se shumica prej ortakëve i bëjnë padrejt njëri-tjetrit, me përjashtim të atyre që kanë besuar dhe punuar vepra të mira, por të tillë janë pak!”

(Sad, 24)

 

Hadithi na nxit që të kemi kujdes për sinqeritetin tonë në ibadet, në kryerjen e obligimeve tona, në besnikëri dhe ruajtjen e emanetit, në mbajtjen e lidhjeve familjare, dhe të gjitha të tjerat të cilat e zbukurojnë besimtarin që të bëhemi prej atyre që janë të gatshëm t’u ndihmojnë njerëzve.

Tek edukimi dhe arsimimi i njerëzve duhet parë me kohë aftësitë e tyre dhe afiniteti për lëmi të caktuar dhe punë dhe kah këto qëllime me i orientuar.

Kur shikojmë sot gjendjen e shumicës së myslimanëve dhe marrëdhëniet e tyre, sinqeritetin e tyre në kontakte, e kuptojmë rëndësinë e këtij hadithi. Në vend të bashkëpunimit dhe afrimit të ndihmës në këtë gjendje kaotike, jemi dëshmitarë të gjakderdhjeve të mëdha dhe shkatërrimit të pasurisë së myslimanëve.

Sot myslimanët janë të huaj dhe të izoluar nga njëri-tjetri. Situata i gjason ditës së Gjykimit, ku secili brengoset vetëm për veten e nuk i intereson askush tjetër, bile edhe as më i afërmi i farefisit të tij. Njeriu sot nuk është i gatshëm të sakrifikojë asgjë nga pasuria e tij as për vëlllain e vet, e lëre më për tjerët, por me të e lidh vetëm feja. Individët i kalojnë kufijtë në kënaqësi e tjerët vdesin nga uria.

Kurtubiu ka thënë: “Ky krahasim është i bukur, ngase është vështirë të gjesh personin që do të kujdeseet për tjerët, duke i ndihmuar, duke u mënjanuar fatkeqësitë dhe vështirësitë e jetës së tyre. Të gjesh të tillë është vështirë sikurse të gjesh devenë e përshtatshme për kalërim në mesin e njëqind deveve, sikurse përmendet në hadith”.

Ku janë vlerat tona morale dhe islame, me të cilat na obligon Zoti ynë dhe na nxit Pejgamberi ynë, s.a.v.s. në shumë hadithe?

Ku është sinqeriteti, ruajtja e emanetit, mëshira ndaj njëri-tjetrit, kryerja e premtimeve, ruajtja e marrëveshjeve?

Ku është serioziteti dhe pedanteria në punët tona?

Këto vlera morale janë gjithashtu pjesë përbërëse e fesë sonë.

A thua Pejgamberi ynë s.a.v.s. nuk ka thënë: “Vërtet besimtari me sjelljen e bukur do të arrijë shkallën e atij që falet natën dhe diten agjëron vullnetarisht”. (Ebu Davudi)

“Nuk ka diç më të vlefshme në peshore ditën e Gjykimit siç është sjellja e bukur, ngase vërtet Allahu xh.sh. nuk e do atë që është i paturpshëm dhe jo i moralshëm”. (Tirmidhiu)