O ZOT, PSE MUA MË SPROVOVE?!
Disa gjëra nuk i planifikojmë dhe nuk i dëshirojmë, por ato prapë ndodhin . . .
Edhe jeta shpesh nuk është në harmoni me pritjet tona . . .
Planifikojmë të kemi familje të mirë, fëmijë të dëgjueshëm. Të gjejmë punë, të kemi jetë plot mirëqenie. Të duam dhe të na duan, deri në fund të jetës. Ëndërrojmë dhe planifikojmë për ardhmërinë e bukur dhe ditë të lumtura. Vetëm dëshirojmë lumturi dhe realizim të dëshirave.
Mirëpo, shpeshherë nuk planifikojmë që dikush do të na lëndojë ndjenjat apo thyen zemrën. Nuk planifikojmë që fëmiu ynë apo të dashurit tanë do të përjetojnë fatkeqësi apo sëmuren. Nuk presim konfrontim me dikënd të afërm. Por edhe për ditët e pleqërisë as që mendojmë. Rinia na duket madhështore. Nuk planifikojmë që jeta jonë do të mbushet me pikëllim dhe varfëri. Nuk planifikojmë se ndoshta do të mbetemi vetëm. Por, nëse përpiqemi si duhet dhe tek Allahu mbështetemi do të marrim ato që dëshirojmë.
Mirëpo, shpeshherë ndodh që dëshirat dhe realiteti ynë të jenë dy gjëra të ndryshme.
Ndonjëherë është vështirë të kuptojmë ngjarjet, rëndom kur ato nuk janë në përputhje me dëshirat tona dhe në padituri njerëzit shpeshherë hidhërohen me Zotin. Në shenjën e parë të belasë flasin fjalë të rënda. Është e saktë që ne nuk zgjedhim ato që na jep Allahu, por duhet të bëhemi të fortë, duke ditur që Allahu nuk na lë vetëm dhe se nuk do të sprovohemi përtej mundësive tona. Ndonjëherë, Allahu bën që shpirti ynë të thyhet, për ta ndier mëshirën e Tij. Ndonjëherë, i Lartësuari lejon që zemra ynë të copëtohet për ta përjetuar kënaqësinë në sexhde.
Ndonjëherë, Allahu na sprovon me dhembje për të na bërë më të fortë. Na sprovon me mossukses për të na mësuar me përulësi.
Sëmuremi për t’u mësuar me durim dhe falënderim në shëndet. Ndonjëherë, i Lartësuari na merr të gjitha për të na mësuar që të vlerësojmë të gjitha të mirat që na ka dhënë.
Për këtë, të planifikojmë, por të dimë se jeta është vetëm mjet e jo qëllim dhe ai i cili mbështetet tek Allahu xh.sh., asnjëherë nuk është humbës.
Përkujtojmë ajetin kuranor:
“Neve na mjafton që kemi Allahun, Ai është mbrojtësi më i mirë”!
(Ali Imran, 173)