PEJGAMBERËT DHE FËMIJËT E TYRE – VLERAT EDUKUESE UNIVERSALE
Në epokën e vlerave të çrregulluara shpirtërore dhe shoqërore, idealeve të ndryshuara dhe mungesës së shembujve të vërtetë. është mirë t’i përkujtojmë Pejgamberët e Allahut, a.s., biografitë e të cilëve na ofron me shumicë Allahu xh.sh. në Kuranin fisnik, siç bën aluzion ajeti:
“Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kur’ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjtë) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.“
(Jusuf, 111)
Biografitë e të Dërguarve të Allahut dhe veprimet e tyre paraqesin burim të pashtershëm të mësimeve, këshillave dhe udhëzimeve. Për të gjitha aspektet e jetës njerëzore nga lindja e deri në vdekje, jetët e Pejgamberëve të Allahut të përmendur në Kuran, ofrojnë udhërrëfime të pagabuara për ata që përpiqen të pasojnë rrugën e Vërtetë. Por shtrohet pyetja: Për kënd të Dërguarët e Allahut janë mësues dhe shembuj?
Përgjigjen e jep natyrisht Kurani fisnik:
“Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën jetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun.“
(El – Ahzab, 21)
“Vërtet, për atë që ka shpresë në All-llahun dhe në ditën e gjykimit, ju keni mostër të mirë (te Ibrahimi dhe besimtarët), e kush i bie prapa, le ta dijë se All-llahu është Ai i panevojshmi, vetvetiu i lavdëruari.“
(El – Mumtehine, 6)
“Për ata që besojnë, ka fakte në të.“
(El – Hixhr, 77)
“E Ne pastaj i shpëtojmë të dërguarit tanë edhe ata që besuan. Ja kështu është detyrë e Jona, t’i shpëtojmë besimtarët.“
(Junus, 103)
“Në këtë (që u përmend) ka mjaft për një popull të dëgjueshëm.“
(El – Enbija, 106)
Nuhu a.s. dhe i biri
Nuhu a.s. e ka thirrur në rrugën e Vërtetë 950 vjet. Kur kjo periudhë kaloi, Allahu xh.sh. i shpalli se më asnjë nuk do të jetë besimtar, andaj ndërto anijen. Ai e dëgjoi Allahun dhe e ndërtoi anijen, e pastaj ndodhi përmbytja. Në anije me Nuhun a.s. gjindeshin besimtarët. Mirëpo, njëri prej djemve të Nuhut nuk hypi në anije.
Të dëgjojmë dhe paraqesim vetit dramën e jetës që në këto momente të vështira kalonte Nuhu a.s.:
“E, Nuhut i qe shpallur: “Nuk do të besojë më askush nga populli yt, përveç atyre që kanë besuar (deri më tash), pra mos u brengos për atë që punojnë ata”.
E, mbaroje anijen nën mbikëqyrjen Tonë dhe me mësimin tonë, e mos m’u drejto Mua për ata që bënë zullum, ata gjithqysh janë të përmbytur.
Dhe ai ndërtonte anijen e paria e popullit të tij, sa herë që kalonte pranë tij përqeshej me te. Ai u thoshte: “Nëse talleni me ne, edhe ne do të tallemi me ju, ashtu siç po talleni ju!”
Dhe më vonë do të kuptoni se cili do ta pësojë dënimin e turpshëm dhe mbi të cilin do të jetë dënimi i përjetshëm.
E kur erdhi urdhri ynë (i caktuar për ndëshkim) dhe gufoi (uji) prej furrës (vend ku piqet buka), Ne i thamë: “Ngarko në të çdo krijesë nga një çift edhe familjen tënde, përveç për kë është marrë vendim i hershëm kundër tij, e (ngarkoje) edhe kush ka besuar, po përveç një pakice nuk i kishin besuar atij”.
Dhe ai tha: “Hipni në të, me emrin e All-llahut ajo lundron dhe ndalet. Vërtet, Zoti im është që falë shumë, është mëshirues”.
Ajo lundron me ta nëpër valë si kodra, e Nuhu e thirri djalin e vet, që ishtë në një vend të ndarë: “O djali im, hip bashkë me ne, e mos u bë me mohuesit!”
Ai (djali) tha: “Unë do të ngjitem në një kodër që do të më mbrojë nga uji (vërshimi)!” Tha: “Nuk ka sot mbrojtës prej dënimit të All-llahut, pos atë që Ai e ka mëshiruar!” Vala hyri mes tyre të dyve, e ai (djali) u mbyt në ujë.“
(Hudë, 36-43)
E vetmja siguri në detin e belave, vështirësive dhe intrigave të jetës bashkëkohore është anija e pejgamberëve. Vetëm në të besimtarët do të jenë të ruajtur nga fatkeqësitë e jetës. Vetëm në të fëmijët janë të sigurt. Prindërit të cilët fëmijët e tyre nuk i vendosin në anijen pejgamberike, i lëshojnë në stuhinë e ujit, valëve gjigande të alkoolit, drogës, amoralitetit, dhe sjelljeve të padëshiruara të cilat shkaktojnë lot në sy, brengë në zemër dhe turp në komunitetin shoqëror.
Por, si prindërit do t’i vendosin në anije kur ata gjinden jashtë saj?
Kur mbyllin veshët dhe nuk dëgjojnë thirrjen e shpëtimit për t’u vendosur në anijen e shpëtimit!
Andaj, tregimi për Nuhun a.s. dhe mësimet që mund t’i marrim nga ky sot kanë rëndësi jetike.
Përktheu dhe përshtati: Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi