RROBAQEPËSI MASHTRUES
Në një qytet jetonte një rrobaqepës që ishte mjeshtër i mashtrimeve. Quhej Puri Shush. Nuk kishte lënë njeri pa e mashtruar. Një njeri kur dëgjoi për rrobaqepësin mashtrues tha: – Unë vë bast me kalin tim se ai nuk mund të më mashtrojë mua! I thanë: – Ai ka mashtruar shumë më të mençur se ti. Mos të mashtrojë inteligjenca yte, sepse do ngelesh i hutuar nga mashtrimet e tij.
Por, njeriu u nxeh edhe më tepër dhe vuri bast në kalin e tij arab, nëse ai ia vjedh pëlhurën e tij. Tërë natën nuk vuri gjumë në sy sesi mos ta mashtronte rrobaqepësi faqezi.
Në mëngjes, mori në dorë pëlhurën e prej sateni dhe shkoi në dyqanin e rrobaqepësit. E përshëndeti me selam, ndërsa mjeshtri u ngrit në këmbë. I dëshiroi mirëseardhje njeriut duke buzëqeshur dhe ia rrëmbeu zemrën atij menjëherë. I tha: – Më bëj një pelerinë për luftë nga ky saten. Nën bel ma qep të gjerë e mbi bel të ngushtë. Mbi bel për t’u parë trupi im, të gjerë nën bel për të lëvizur këmbët më lehtë.
Rrobaqepësi i tha: – O njeri i mirë, njëqind shërbime i kryej për ty.
Ndërkohë, me qindra tregime rrobaqepësi filloi t’ia tregojë, e dalëngadalë satenin me gërshërë ia copëtonte. Njeriu nga këto tregime filloi të qesh pa menduar, ndërsa rrobaqepësi me mjeshtri filloi t’ia shkurtojë nga pak satenin. Çfarë sateni! Çfarë lavdërimi! Çfarë basti! Njeriu ishte dehur nga mahitë dhe tregimet e rrobaqepësit. Njeriu pareshtur i thoshte: – Pashë Allahun, vazhdo të më tregosh mahitë, se unë çmendem prej tyre!
Rrobaqepësi vazhdonte të tregonte mahi, saqë njeriu u shtri në kokërr të shpinës nga të qeshurat. Rrobaqepësi vazhdonte t’ia prente plëhurën dhe thoshte me vete ky qenka i çmendur.
Ai edhe më tej e mbulonte mjeshtrin me puthje duke thënë: – Pashë Allahun, më trego edhe një mahi!
O ti njeri që je bërë i vdekur nga tregimet dhe mahitë pakufi, deri kur do t’i dëgjosh lajkat e botës nga të cilat tronditet mendja yte dhe shpirti yt? Mahitë e kohës ua morën nderin mijëra njerëzve.
Rrobaqepësi i tha njeriut: – Ec e shko, njeri pa burrëri! Përse qesh pandërprerë pa e kuptuar fare isharetin?
Në vend se të qeshësh ti duhet të derdhësh lotë të gjakosur.
Rrobaqepësi është dynjaja që e pret satenin e jetës sate pak nga pak me gërshërët e saj, e këta janë muajt. Ti mendon se lumturia yte do të zgjat përherë.
Jeta i gjason pëlhurës të cilën rrobaqepësi e pret çdo moment.
Andaj, ti para këtij rrobaqepësi qepi rrobat e devotshmërisë dhe pëlhurën e përhershmërisë. Mos qesh pa ditur si i hutuar sepse jeta jote një ditë ka për të përfunduar.
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi