SA VËRTET I BESOJMË ALLAHUT xh.sh.
Jetonin njëherë burrë e grua, që ishin aq shumë të lidhur saqë nuk mundnin njëri pa tjetrin. Edhe pse kishin karaktere të ndryshme – burri për nga natyra i qetë, nuk zemërohej as në rrethanat më të rënda, ndërsa gruaja hidhërohej për çdo imtësi.
Një ditë, u nisën në udhëtim me anije. Pas disa ditësh udhëtimi, i goditi një fortunë e fuqishme. Anija ishte gati duke u fundosur nga valët e mëdha. Anija u mbush me ujë ndërsa frika dhe paniku i kaploi udhëtarët.
Edhe gruaja filloi të bërtet dhe filloi ta kërkojë burrin e saj. Por u habit kur e pa se ai qëndronte i qetë, dhe u zemërua duke e akuzuar se është i ftohtë dhe indiferent në tërë këtë situatë të rëndë.
Papritmas, u tërbua burri dhe ngriti thikën në gjoksin e gruas dhe me zemërim e pyeti: “A nuk frikësohesh nga thika”?
Ajo e shikoi dhe i tha: “Jo”.
“Përse”? – e pyeti bashkëshorti.
“Sepse thika është në dorën e atij që i besoj dhe e dua” – u përgjigj ajo.
Në këto fjalë bashkëshorti buzëqeshi dhe i tha: “Kështu është edhe me mua. Këto valë të tërbuara janë në dorën e Atij që i besoj dhe e dua, andaj përse të frikësohem kur Ai ka kontroll mbi çdo send”.
Mesazhi: Mos ki frikë nga valët dhe fortunat e jetës që të godasin vazhdimisht, por ke besim dhe duaje Allahun e dashur, se të gjitha do t’i përballosh me lehtësi.