SHPËRBLIMI I MBRETIT

Ishte një mbret tejet i interesuar për muzikë, vallëzim, dramë dhe arsimim të lartë. Njëherë i tha ministrit të tij: – Dëshiroj të dëgjoj muzikë të mirë dhe të shikoj një vallëzim të bukur, madhështor. Si ta organizojmë këtë?

Ministri i tha: – Nuk është e lehtë lartëmadhëria juaj. Të gjithë njerëzit në këtë shtet janë muzikantë, këngëtarë, artistë dhe valltarë të shkëlqyer dhe nëse e thërrasim një grup, do të lëndonim të tjerët. Më së miri është të organizojmë një garë të madhe brenda gjashtë mujash nga dita e sotit dhe fituesin do ta shpërblejmë mirë.

Kështu ndërtuan një shesh të madh në fushë të hapur, duke shpallur ditën e garës. Dhe më në fund ajo ditë erdhi. Sheshi u mbush përplot artistë, këngëtarë e muzikantë nga tërë vendi.

Tërë banorët e mbretërisë ishin mbledhur atë ditë. Mbreti urdhëroi ministrin t’i ndajë shikuesit nga garuesit. Shikuesit duhej të qëndronin në anën e djathtë, ndërsa garuesit në anën e majtë.

Kështu ishte shpallur, mirëpo shikues nuk kishte fare, ngase të gjithë njerëzit e mbretërisë u bënë garues. Mbreti i cili shikonte nga tribuna e veçantë, i çuditur u kthye kah ministri i tij dhe e pyeti: – O ministër, më thuaj çfarë të bëj?

Ministri i tha: – Lëri të gjithë të vallëzojnë, luajnë, këndojnë dhe aktrojnë në të njëjtën kohë, e pastaj do të vendosim kush ka qenë më i miri.

Kështu edhe vepruan. Filloi një tollovi dhe zhurmë e paparë. Nuk mund të dallohej asnjë zë nga tjetri. Dukej sikur po pëllisnin me mijëra gomarë dhe mijëra ulërima ujqish.

Kështu edhe Allahu i madhërishëm e krijoi këtë botë. Secili ka ardhur në këtë botë me iluzione dhe imagjinatë të ndryshme. Kështu krijohet një tollovi marramendëse. Në teatrin e kësaj bote garojnë shumë fe e besime të ndryshme, sisteme të komplikuara filozofike, artistë shpresëdhënës. Secili në mënyrë agresive imponon personalitetin e tij para tjerëve me qëllim që të jetë i njohur dhe i respektuar.

Por, asnjëri nuk është si mbreti. Mbreti është ai që shikon.

Por, të rrallë janë ata që vijnë në këtë botë duke e vështruar të qetë këtë tollovi dhe duke mos e harruar Krijuesin e lartëmadhëruar. Në fund të garës (ditës), vetëm këtyre që e njohin Krijuesin, Ai do t’u ndajë shpërblimin.

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi