SHUAJBI a.s. DHE PABESIMTARI KRYELARTË

Shuajbi a.s. i kishte mbledhur njerëzit dhe i këshillonte që të jenë të devotshëm, të drejtë dhe të respektueshëm. Në mesin e këtyre besimtarëve gjindej edhe një pasanik kryelartë, arrogant, i cili i tha Shuajbit a.s.: “Unë kam bërë shumë mëkate, por prapë jetoj në pasuri, Zoti nuk mi cungon begatitë e Tij, jam i shëndoshë, kam fëmijë të shëndetshëm, grua të mirë dhe jetoj i lumtur”.

Shuajbi a.s. për një moment u hutua, por Allahu xh.sh. i shpalli: “Thuaj se është budalla dhe flet marrëzira, e kam dënuar me sëmundjen më të rëndë: zemra e tij është e verbër dhe e fortë si guri”.

Shuajbi a.s. ia tha këto fjalë këtij njeriu, por ky i tha: “A mund të argumentosh se është e vërtetë kjo që thua për mua?”

Allahu xh.sh. i shpalli Shuajbit a.s.: “Thuaj: Ky ndonjëherë falet, por me këtë rast në zemrën e tij nuk ndien kënaqësi, as rehati, e as lehtësi. Kjo është shenjë e sëmundjes që ka”.

Shuajbi a.s. ia përcolli njeriut këto fjalë nga Allahu xh.sh. dhe ky i pranoi.

Dhe vërtet të kemi ndërmend gjithmonë që verbëria e zemrës është sëmundje më e rëndë se verbëria e syve.