SI E MASHTROI MBRETËRESHA MBRETIN
Tregohet se një mbret, Husrev b. Perviz, e ka dashur shumë peshkun. Një ditë ishte duke ndenjur me bashkëshorten Shirinë, kur një peshkatar i solli një peshk të madh duke u përulur me respekt ndaj mbretit. Kjo i pëlqeu pamasë mbretit Husrev dhe urdhëroi që peshkatarit t’ia japin katër mijë dërhem.
Ndërsa bashkëshortja Shirinë i tha: – Veprove keq!
– Përse? – tha Husrevi.
– Sepse i dha shumë. Nëse ndonjë veziri i jep kaër mijë dërhem, do të thotë: ‘Pa shiko, mbreti më dha sa peshkatarit!’ Dhe do të mendojë se e ke nënçmuar. – tha bashkëshortja.
Kur dëgjoi këto fjalë, Husrevi i tha gruas: – Të vërtetën e ke thënë, por nuk i takon mbretit ta kthejë dhuratën prapa.
– Unë do ta rregulloj. – tha Shirini.
– Si? – e pyeti mbreti.
– Thirre peshkatarin dhe pyete: ‘Ky peshk që ma sole, a është mashkull apo femër?’ Me këtë do ta turpërosh dhe ai do t’i kthejë paratë. Pastaj, do t’i japësh peshkatarit aq sa i takon. – e këshilloi Shirini.
E kthyen prapa peshkatarin, por ai ishte i mençur dhe mendjemprehtë dhe mbreti e pyeti: – Peshkun që ma solle, a është mashkull apo femër?
Peshkatari duke u përulur thellë para mbretit tha: – Ky peshk është hermafrodit, as mashkull as femër.
Mbreti qeshi me zë të lartë në përgjigjen e peshkatarit dhe urdhëroi që t’ia japin edhe katër mijë dërhem. Gjatë kësaj kohe, mbreti dhe mbretëresha e vështronin peshkatarin, ndërsa mbretëresha i tha mbretit: – Nuk kam parë më përbuzës se ky peshkatar. I ra një dërhem, e ky e zbriti torbën plot me dërhem nga krahu për ta marrë një dërhem.
Mbreti tha: – Të drejtën thua Shirinë, – dhe urdhëroi t’ia sjellin peshkatarin duke i thënë: ‘ O ti njeri i pakujdesshëm! Të ra një dërhem nga tetë mijë, e ti u përule për ta marrë një dërhem. Çfarë njeriu qenke ti?!
Peshkatari përsëri duke u përulur me respekt para mbretit, i tha: – Mbreti im, atë dërhem nuk e mora për shkak të vlerës që ka. Përkundrazi, e ngrita nga toka, sepse në njërën anë të monedhës është fytyra yte, e në anën tjetër emri yt. Dhe u frikësova, ndoshta ndonjë injorant do ta shkelte me këmbë, e kështu do ta poshtëronte fytyrën dhe emrin tënd, e unë do të ndihesha fajtor për këtë veprim.
Mbreti Husrev u mahnit me këto fjalë të peshkatarit dhe urdhëroi që t’ia jepnin edhe katër mijë dërhem tjerë.
Pas kësaj që i ndodhi, mbreti Husrev urdhëroi lajmëtarët që më askush mos t’i rregullojë punët sipas mendimit të grave.
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi