SUNDIMTAR, AI I CILI E ZGJATI KËMBËN PARA TEJE, ASNJËHERË NUK DO TA ZGJAT DORËN TË KËRKOJË PREJ TEJE!

Sundimtari i njohur dhe tiran i Egjiptit, Ibrahim pasha, hyri njëherë në xhaminë emevite në Kairo, në të cilën mbante ligjëratë dijetari i mirënjohur nga Shami, Seid el-Halebi.

Ibrahim pasha u afrua tek dijetari i cili e kishte zgjatur këmbën, por nuk e tërhoqi në shenjë nderimi ndaj Ibrahim pashës.

Ky gjest i dijetarit e zemëroi shumë Ibrahim pashën dhe ky i tërbuar e lëshoi xhaminë. Në shpirt i lindi mendimi i keq për Seid el-Halebiun.

Kur erdhi në pallat, hipokritët e rrethuan nga të gjitha anët duke e nxitur që të hakmerret ndaj dijetarit. Dhe mu në momentin kur garda u përgatit që ta sjellin dijetarin e famshëm, Ibrahim pasha e ndërroi mendimin, duke iu frikësuar turbullirave që do të ndodhnin, ngase populli do të ngritej në këmbë, sepse e respektonin shumë dijetarin.

Por, e mendoi një mënyrë tjetër për t’iu hakmarrur. Dhe vendosi ta blejë me të holla dhe kështu dijetari do të fitonte simpatinë e pashës e në anën tjetër do ta humbaste autoritetin tek masa.

I dërgoi Seid el-Halebiut 1000 dukatë që ishte shumë marramendëse.

I deleguari i pashës me shumën e madhe të të hollave erdhi në xhami ku Seid el-Halebiu mbante ligjëratë para shumë njerëzve. Iu afrua me respekt dhe zë të lartë që ta dëgjojnë të gjithë i tha: “Shejh i dashur, këta 1000 dukatë t’i dërgon sundimtari bamirës, Ibrahim pasha, që të gjinden për nevojat tua.”

Shejhu e shikoi me keqardhje të deleguarin dhe i qetë dhe me dinjitet i tha: “Fëmi i dashur, ktheja këto të holla pronarit të tyre dhe thuaj: ‘Sundimtar, ai që e zgjati këmbën para teje, dije që asnjëherë nuk do ta zgjat dorën e tij të kërkojë diç prej teje’.”