TË JETUARIT ME KURANIN FISNIK
Kurani fisnik është fjalë e Zotit tonë i Cili në të shpalli shpjegime detale për çdo gjë, ai është udhëzim, mëshirë dhe lajm i gëzuar për ata që vetëm në Allahun besojnë:
“Elif, Lam, Ra. (ky është) Libër; Ne ta shpallëm ty që me urdhrin e Zotit t’i nxjerrish njerëzit prej errësirave në dritë; (t’i nxjerrish prej errësirës) në rrugë të Fuqiplotit, të Falënderuarit.”
(Ibrahim, 1)
Është ilaç për besimtarët, ndërsa pabesimtarëve ai vetëm ua rrit shkatërrimin:
“Ne të shpallim Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshpërim.”
(El – Israë, 82)
“O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kur’ani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët.
(Junus, 57)
Ai i cili gjykon sipas rregullave të Kuranit do të jetë i drejtë, ai i cili citon versetet e tij, flet të vërtetën, ai i cili vepron në harmoni me udhëzimet e tij, do të jetë i shpërblyer, ndërsa ai që thërret kah ai, është i udhëzuar në rrugë të drejtë, ai që kapet pas Kuranit është kapur për litarin më të fortë i cili nuk shkëputet:
“E kush ia dorëzon veten All-llahut duke qenë edhe punëmirë, ai është kapur për lidhjen më të sigurt dhe vetëm tek All-llahu është përfundimi i çështjeve.”
(Llukman, 22)
Ai i cili nga ai largohet dhe kërkon udhëzim në diç tjetër, ai ka bredhur tërësisht:
“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër.
Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?”
Ai (All-llahu) thotë: “Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu je ti i harruar sot.”
(Ta Ha, 124-126)
Kurani është rrugë deri te njohja e Allahut të madhërishëm, dallon të vërtetën nga e pavërteta, i nxjerr njerëzit nga errësira e pabesimit në dritën e besimit. Në Kuran, Allahu i madhërishëm shpalli lajmet e popujve të mëparshëm dhe lajmet që do të ndodhin:
“Ne me të shpallur të këtij Kur’ani po të rrëfejmë ty (Muhammed) më të bukurin rrëfim, edhe pse para tij ishe nga të painformuarit.”
(Jusuf, 3)
Dijetarët nuk mund të ngopen nga studimi i tij, është i ruajtur nga çdo përpjekje të ndryshimit:
“Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.”
(El – Hixhr, 9)
Kurani është fjalë e Allahut me të cilën në shpirtrat dhe zemrat tona fusim dritë, pa të cilën zemrat dhe shpirtrat tanë do të ishin të errët dhe të bredhur.
KURANI GJALLËRON ZEMRAT E NJERËZVE
Mënyra e jetës bashkëkohore dhe përditshmëria jonë kanë veprim negativ tek ne dhe sado që përpiqemi të ruhemi nga mëkatet, nuk mundemi ta bëjmë këtë në tërësi.
Rezultat i mëkateve është ngurtësimi i zemrave tona. Zemrat e mbuluara me pika të zeza me shuarjen e dritës së imanit bëhen të ngurta:
“Edhe pas (fakteve të qarta) zemrat tuaja u bënë pasandej të forta si guri, e edhe më të forta . . .”
(El – Bekare, 74)
Zemrat tona mund mund t’i zbut dhe gjallërojë vetëm jeta e mbushur me Kuran i cili i ngjall zemrat sikurse uji me lejen e Allahut, që ngjall tokën e tharë dhe të vdekur në të cilën pasiqë Allahu i madhërishëm në të lëshon mëshirën e Vet (shiun), paraqiten bimë me ngjyra të bukura. Kurani i frymëzon zemrat tona me shpirt pa të cilin nuk ka jetë:
“Po kështu me urdhrin tonë Ne të shpallëm edhe ty shpirtin (Kur’anin) . . .”
(Esh – Shura, 52)
Në këtë verset Kurani është quajtur shpirt, ngase trupi jeton me shpirtin, ashtu sikur që zemra dhe shpirti që jetojnë me Kuranin, ngase në të gjindet mirësi e madhe dhe dituri e bujshme.
Në kohën e sotit shtrohet pyetja si sillemi ne me Kuranin. Si jetojmë dhe si i japim Kuranit të drejtën e tij? Shumica prej nesh janë të vetëdijshëm dhe dinë që leximi i Librit të Allahut është njëri prej ibadeteve më të mirë me të cilin robi i Allahut i afrohet Zotit të vet, i Cili duke lavdëruar ata që e lexojnë Kuranin thotë:
“Ata që lexojnë librin e All-llahut, e falin namazin dhe nga begatitë që Ne u kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata e shpresojnë në një fitim që kurrë nuk humbet.”
(Fatir, 29)
Abdullah b. Mes’udi r.a. transmeton që Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kush lexon një shkronjë nga Libri i Allahut, atij i takon vepër e mirë që vlerësohet deri në dhjetë herë. Unë nuk them që Elif-Lam-Mim është një harf, por Elifi është harf, Lami është harf dhe Mim është harf.” (Tirmidhiu, sahih)
Në vlerën e pjesëmarrjes në të cilat lexohet dhe studiohet Fjala e Allahut, tregohet në hadithin në vijim: “Nuk tubohen njerëzit në njërën prej shtëpive të Allahut për ta lexuar Librin e Allahut dhe që në mes vete ta studiojnë, e që mbi ata nuk lëshohet qetësia, i mbulon mëshira, i rrethojnë melekët dhe Allahu do t’i përmend tek ata që janë te Ai!” (Muslimi)
Imam Neveviu r.h.m. ka thënë: “U bashkohen në mesxhide në këtë mirësi të madhe, medrese, internate të nxënësve, ngase në këtë tregon hadithi: “Nuk do të ulen njerëzit duke përmendur Allahun . . .”, i cili është i natyrës së përgjithshme dhe përfshin të gjitha vendet, ndërsa përmendja e mesxhidit në hadith tregon në vendin ku në shumicën e rasteve kryhet ky ibadet, sidomos në atë kohë.” (Nevevi, Sherhu Muslim)
Në tubimin në të cilin lexohet Fjala e Allahut nuk mund t’i sjell asgjë tjetër pos qëllimit të mirë dhe dashuria ndaj Librit të Fuqiplotit, ngase besimtari e di mirë se vetëm kështu do të arrijë shpërblim.
Nga Ebu Seid el-Hudriu r.a. transmetohet që ka thënë: “Doli Muaviu b. Ebu Sufjan në mesxhid në hallkën e Kuranit dhe pyeti: Përse qëndroni? Ata që ishin prezent u përgjigjën: Jemi ulur për ta përmendur Allahun, ndërsa ai pyeti: Pashë Allahun, nuk jeni ulur për asgjë tjetër pos kësaj? Prezentët u përgjigjën: Pasha Allahun, nuk jemi ulur për asgjë tjetër pos për këtë. Në këtë, ai tha: Vërtet nuk kam kërkuar nga ju që të betoheni për shkak se dyshoj në sinqeritetin tuaj dhe askush nuk pasur pozitë më të ulët te Pejgamberi s.a.v.s. kur është pyetur në pyetje transmetimi i haditheve. Vërtet, Pejgamberi s.a.v.s. erdhi në hallkën e sahabëve të tij dhe pyeti: Për çka jeni ulur?
Sahabët u përgjigjën: Jemi ulur për ta përmendur Allahun që ta falënderojmë Atë që na ka udhëzuar në islam, për këtë begati që na ka dhuruar. Pejgamberi s.a.v.s. i pyeti: Pashë Allahun, nuk jeni ulur për asgjë tjetër pos për këtë? Ndërsa ata u përgjigjën: Pasha Allahun, nuk jemi ulur për asgjë tjetër pos për këtë. Në këtë, Pejgamberi s.a.v.s. tha: Unë vërtet, nuk kam kërkuar nga ju që të betoheni për shkak se dyshoj në sinqeritetin tuaj, mirëpo më erdhi Xhibrili dhe më lajmëroi që Allahu i madhërishëm krenohet me ju para melekëve.” (Muslimi)
Pejgamberi s.a.v.s. na ka nxitur në leximin e Kuranit duke thënë që Kurani do të ndërmjetësojë për atë që e lexon: “Lexoni Kuranin se vërtet ai (Kurani) do të vie në ditën e Gjykimit si ndërmjetësues (shefaatxhi) atyre që e kanë lexuar, lexoni dhahravejn (el-Bekare dhe Ali Imran), ngase këto vërtet do të vinë në ditën e Gjykimit sikurse dy re, apo si dy hije, apo si dy tufa zogjësh me krahë të hapur, duke ndërmjetësuar për atë që i ka lexuar këto dy . . .” (Muslimi)
“Në ditën e Gjykimit do t’i thuhet lexuesit të Kuranit: Lexo dhe ngjitu, vërtet vendi yt është te verseti i fundit që e lexon.”
Duke pasur parasysh këto që përmendëm, a mundet muslimani të privohet nga kjo mirësi? Dynjaja dhe obligimet e saj nuk po na lejojnë që ta mësojmë leximin e Kuranit. Hallkat në të cilat prezentojnë leximin e Kuranit janë të rralla në çdo qytet, një më së shumti dy, në disa vende nuk ka asnjë, ndërsa ata që marrin pjesë në leximin e Librit të Allahut janë të rrallë në numër të vogël dhe pas një kohe të shkurtër edhe ata humbasin në detin e punëve të dynjasë. Por, ne me këtë privojmë jo vetëm veten tonë por edhe gjeneratat e ardhshme. Nënat, sot më të rëndësishme e kanë që fëmijët e tyre t’i kenë të gjitha nevojat dhe gjitha dituritë e e dynjasë, por nuk i japin fare rëndësi që t’u mësojnë leximin e Librit të Allahut i cili do t’i udhëzojë duke u dhënë dritë jetëve të reja.
MEDITIMI PËR AJETET E KURANIT
Njëri prej qëllimeve më të larta të leximit të Kuranit është kuptimi i asaj që lexohet, ngase në këtë mënyrë arrihet qëllimi i dëshiruar, siç është zemërgjerësia, ndriçimi i zemrave, udhëzimi. Kjo mënyrë e leximit ka qenë e urdhëruar edhe për Pejgamberin s.a.v.s., siç thotë i Lartësuari:
“. . . Dhe Kur’anin lexoje me vëmendje.”
(El – Muzzemmil, 4)
Vetëm me leximin e Kuranit me vëmendje, njeriu vie deri te meditimi i asaj që lexon, zemra lëviz dhe arrihet adhurimi i Allahut në këto ajete. Pejgamberi s.a.v.s. i ka lexuar kaptinat me kujdes dhe ngadalë:
“(Ky është) Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty këtë, që t’i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend.”
(Sad, 29)
Ka ajete të shumta që na flasin si Kuranin duhet lexuar me meditim. Sahabët kështu e kanë lexuar Kuranin duke praktikuar këtë mënyrë. Kanë lexuar dhjetë ajete duke i kuptuar dhe vepruar sipas tyre. Ebu Abdurrahman es-Sulemi r.h.m. ka thënë:
“Sahabët kanë marrë nga dhjetë ajete nga Pejgamberi s.a.v.s. dhe nuk i kanë marrë dhjetë tjera derisa nuk i kanë mësuar dhe praktikuar ato.”
Për këtë, për ne oblgimi i parë dhe më i rëndësishëm është që zemrat dhe mendjet tona t’i hapim gjatë leximit të Kuranit.
Ku është dallimi në mes leximit tonë të Kuranit dhe leximit të sahabëve?
Sot, në shumicën e rasteve, shumica nga ne dëshirojmë që fëmiu ynë të mësojë Kuran për çdo ditë, përcjellim sa ka mësuar përmendësh nga Kurani: Djali im, a e ke kryer xhuzin, të dytin, të tretin, të dhjetin, pesëmbëdhjetin, njëzetin . . ., përderisa fëmiu nuk e plotëson atë që prindërit dëshirojnë dhe përfundon hifzin, pas së cilës prindërit tejet të lumtur ftojnë farefisin, miqtë të njohur e të panjohur duke lajmëruar dhe krenuar se djali apo vajza është bërë hafiz i Kuranit dhe në shumicën e rasteve me këtë përfundon tregimi.
Sahabët nuk e kanë lexuar kështu Kuranin dhe as nuk kanë vepruar kështu.
Gjeneratat para nesh e kanë lexuar Kuranin, mirëpo ata i kanë hapur zemrat dhe mendjet e tyre ajeteve të Kuranit, janë edukuar trimat, dijetarët, që kanë përhapur fenë e Allahut. Omeri r.a. ka thënë: “Ai që dëshiron që fëmiu i tij ta mësojë përmendësh Kuranin le të fillojë më sure të shkurtra.” Edhe Ibn Abbasi r.a. thotë në Sahih: “I kam mësuar suret e shkurtra ndërsa i kam pasur dhjetë vjet.”
Pra, sahabët i kanë mësuar së pari suret e shkurtra e pastaj të gjatat sikur ne të gjithë. Mirëpo, ku është dallimi në mes nesh dhe atyre? Do të përpiqemi të sjellim shembull të leximit të tyre të Kuranit në shembullin e sures en-Nas. Ata së pari fillonin të mësojnë kuptimin e saj dhe të kuptojnë mesazhet e saj. Për çfarë flet kjo sure, çka ka dëshiruar Allahu nga ne në suren en-Nas?
“Thuaj: “Mbështetem (mbrohem) . . .” – Sureja fillon me kërkimin e mbrojtjes nga Zoti ynë, për këtë edhe vetit edhe atyre që i mësojmë duhet së pari t’u qartësojmë kuptimin e këtyre fjalëve, e mos të jetë vetëm të folurit e thatë, por që kuptimin e këtyre fjalëve ta mbjellim thellë në zemrat tona.
“Me Zotin e njerëzve . . .” – Kjo është pika më të cilën fillon mbjellja e besimit në zemrat, besimit të tevekkulit (mbështetjes), kërkim mbrojtjes, shpresat dhe kërkimit vetëm nga Një, e ky është Zoti i njerëzve.
“Sunduesin e njerëzve . . .” – A e dini dallimin në mes “Rabbin-nas” dhe “Melikin-nas”? Rabb është Ai i Cili robërit e Tij i mbulon me begati të panumërta, ndërsa Melik është Ai i Cili sundon ashtu siç do Ai.
“Të adhuruarin e njerëzve . . .” – Kjo është cilësia e Zotit tonë. Në ajetet e mëparshme është shpallur kërkimi i mbrojtjes nga Zoti ynë me tri cilësi të Tij: Rabb – Zot, Malik – Sundues dhe Ilah – Zot. Ja, kështu sahabët e kanë lexuar dhe mësuar Kuranin.
SHEMBULLI I TË JETUARIT ME KURAN
Kur Pejgamberi s.a.v.s. një shok të tij e dërgoi si komandant në një ekspeditë dhe ai udhëhiqte namazin, në çdo rekat lexonte suren el-Ihlas. Sahabët u çuditën dhe kur u kthyen nga lufta ia përmendën sjelljen e tij Pejgamberit s.a.v.s., ndërsa ai tha: “Pyeteni përse e ka bërë këtë? Ata e pyetën dhe ai tha: Në të janë përmendur cilësitë e të Gjithëmëshirshmit dhe unë dua ta lexoj. Kur ia përcollën këtë Pejgamberit s.a.v.s., ai tha: Lajmëroni se edhe Allahu e do atë.” (Buhariu dhe Muslimi)
Othmani r.a. ka thënë: “Sikur zemrat tona të ishin të shëndosha, asnjëherë nuk do të ngopeshin nga leximi i Kuranit.”
Lutemi Allahut që të na dhurojë dashuri ndaj leximit të Kuranit dhe të na bëjë dritë në zemrat tona dhe zemrat e atyre që i duam!
AMIN!
Prof. Ummu Muaz Smajloviq
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi