TREGIMI PËR MJESHTRIN

Një mjeshtër u plak dhe përgatitej për t’u pensionuar. I tha punëdhënësit të tij se do të tërhiqej nga puna e ndërtimtarisë për të jetuar i qetë.

Punëdhënësit i erdhi keq që punëtori i tij i zellshëm dëshiron ta ndërprejë punën dhe iu lut që t’ia kryejë për fund edhe një shërbim . . .

I ofroi që t’ia ndërtojë edhe një shtëpi të vetme për të përfunduar karrierën e tij. Mjeshtri e pranoi këtë lutje por me premtim se do të jetë projekti i fundit i tij. Duke menduar për tërheqje, mjeshtri nuk u përpoq shumë rreth ndërtimit të kësaj shtëpie. Me zemër nuk ishte i lidhur për punë. Shfrytëzoi gjatë punës një material ndërtimor të dobët dhe jokualitativ. Kur e kreu punën, e ftoi punëdhënësin dhe ia tregoi shtëpinë. Punëdhënësi ia dorëzoi letrat dhe çelësin e derës hyrëse të shtëpisë duke i thënë: “Kjo është shtëpia yte, dhuratë nga unë për punën shumëvjeçare që ke bërë tek unë”.

Mjeshtri u shokua, çfarë turpi!

Sikur ta dinte se po e ndërton shtëpinë e tij, do ta bënte më të mirën e gjitha shtëpive që kishte ndërtuar deri atëherë.

Mesazhi i tregimit: Këtë tregim mund ta krahasojmë me situatën tonë. Allahu xh.sh. na ka krijuar në këtë botë që ne t’i ndërtojmë shtëpitë tona në Xhennet, duke respektuar urdhërat e tij. Këto urdhëra duhet t’i kemi parasysh gjithmonë deri në momentin e fundit, ngase asnjëherë nuk dimë se cili veprim i yni mund ta ndërtojë shtëpinë që do të jetë vendbanimi ynë i përhershëm.