AGJËRUESIT – NJERËZ ME KULTURË TË LARTË CIVILIZUESE

Allahu i madhërishëm në Kur’anin fisnik urdhëron e thotë:

 “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”

                                                                                                            (El – Bekare, 183)

       E keni parë bimën e gjelbër, e cila me gjelbërimin e saj konkuron me kaltërsinë e qiellit? Ajo do të ngulfatet dhe venitet nëse mbetet në pyll e rrethuar me barë parazit. Kështu ndodh edhe me ibadetin! Ai është një relaks shpirtëror i cili rifreskon zemrën, duke e ngritur besimtarin në sferat e larta shpirtërore.

Andaj, me ardhjen e muajit të bekuar Ramazan, duhet përgatitur shpirtërat tanë për pritjen më të bukur. Sepse, kur vie ky mysafir i dashur, fillimin e ka mëshirë, mesin – falje dhe fundin shpëtim nga zjarri.

Oferta është e pasur, andaj vlen për të garuar. Myslimani është i thirrur që të agjërojë me krenari, përkushtim, ngase duke iu përgjigjur thirrjes së Allahut të madhërishëm ai tregon një kulturë të lartë civilizuese, nga e kryen këtë obligim pa u hamendur.

U gëzohem njerëzve që mbajnë distancë në mes mendjes dhe stomakut të tyre, dhe ecin në mesin e njerëzve të drejtë dhe krenarë.

      

       PËRGATITJA PËR AGJËRIM

 

Është mëshirë e madhe nga Allahu i madhërishëm i Cili duke na obliguar agjërimin, na ndihmon të agjërojmë:

  1. Ai na thërret me emrin e Tij.
  2. Pastaj agjërimi zgjat në ditë të caktuara.
  3. Allahu i madhërishëm i prangon shejtanët. Andaj edhe ne t’i prangojmë në brendinë tonë, shejtanët e zilisë, zemërimit dhe kryelartësisë.
  4. Përgatitja duhet të fillojë para muajit shabanit.

Kur’ani u shpall në ramazan:

    “Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra). . . ”

                                                   (El – Bekare, 185)

Nga falënderimi për këtë begati madhështore ne agjërojmë, në mënyrë që agjërimi të jetë rrugë kah arritja e devotshmërisë. Me devotshmëri myslimani arrin kulturë të lartë civilizuese shpirtërore. Vërtetë, zemra e besimtarit të devotshëm (mutteki) është e pasqyrë e lustruar. Shejtani nuk mund t’i afrohet në asnjë anë, e që ata mos ta shohin! Në të njëjtën kohë, mëkatarët kanë zemra të errësuara, shejtanët i sulmojnë, dhe ata nuk i vërejnë fare.

D.m.th. agjëruesit e devotshëm janë të udhëzuar me dritën e Kur’anit. Ata janë të shpëtuar. Ata kanë pasur dobi nga udhëzimi kuranor. Ata nuk janë si të tjerët, ngase janë civilizuar!

Përse?

Ngase besimtari i devotshëm beson në Kur’an, por edhe në gajb (të padukshmen).

D.m.th. ai nuk ndalet në botën e shqisave, në atë që kjo botë përfundon në kufijtë vizual të tij. Kështu ndodh te kafshët. Kështu ndodh te materialistët! Mirëpo, të devotshmit e kalojnë rrugën e shqisave dhe të imagjinatës duke hapëruar kah gajbi në të cilin besojnë. Me këtë besim të sinqertë i paraprijnë  varganit njerëzor. Nga bota materiale ne kemi njohur 3% të gjërave, dhe mbetet 97% që nuk e kemi njohur. E çfarë është atëherë me gajbin? Muttekitë janë zemërgjerë dhe largpamës dhe mu për këtë bindja e tyre është e thellë ngase besojnë në të padukshmen.

Disa njerëz nuk besojnë në gajb, gjegjësisht në atë që nuk shohin me sytë e tyre. Për këtë ata gjykimin e njerëzve e sjellin vetëm në bazë të asaj që shohin! Thellësitë e qenies njerëzore janë si deti përplot fshehtësi.

Por mendja është e verbër edhe pse sytë shohin! Dallimi është i madh në mes shikimit të materialistit dhe shikimit të muttekisë.

Ja një shembull nga Kur’ani fisnik:

Ai (Karuni) doli para popullit të vet me stolinë e vet, e ata që kishin synim jetën e kësaj bote thanë: “Ah, të kishim pasur edhe ne si i është dhënë Karunit, vërtet ai është fatbardhë!”

E ata që ishin të zotët e diturisë thanë: “Të mjerët ju, shpërblimi i All-llahut është shumë më i mirë për atë që besoi dhe bëri vepër të mirë, po atë nuk mund ta arrijë kush përveç të durueshmëve!”

Po Ne atë dhe pallatin e tij i shafuam në tokë dhe veç All-llahut nuk pati që ta mbrojë, e as vetë nuk pati mundësi të mbrohet.”

(El – Kasas, 79 – 81)                                      Të devotshmit janë ngjadhnjimtar të vërtetë!

Allahu i madhërishëm thotë:

      “. . . të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!”

                                                                                                           (Ez – Zumer, 10)

Si dhe verseti:

      “E secilit sipas veprave që bën i takon shkalla, e shpërblimit për veprat e tyre  do t’u plotësohet e nuk u bëhet padrejtë.”

                                                                                     (El – Ahkaf, 19)

 

Andaj, agjëruesit që kanë arritur shkallën e devotshmërisë janë përparimtarë!

Përparimtarë me ibadetin e tyre. Ndërsa materialistët janë të prapambetur me mëkate dhe idhujtari. Ky realitet ëhtë dëshmitar i prapambeturisë së tyre. Ata janë përparimtarë, por prapa!

Andaj, të përpiqemi që agjërimi jonë të jetë kualitativ, dhe udhërrëfyes kah devotshmëria, kultura dhe civilizimi shpirtëror!