ALLAHU DËGJON ÇDO GJË (Hutbe për meshkuj)

Femra

Është krijuar nga brinja e mashkullit

jo nga thembra për të qenë e shkelur,

dhe as jo nga koka për të qenë superiore

por nga anash për qenë e barabartë

nën dorë për qenë e mbrojtur

dhe pranë zemrës për qenë e dashur.

 

I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ishte ulur në shoqëri me sahabët në Medine, kur iu afrua nja grua. Emri i saj ishte Havla. Disa thonë se quhej Huvejla, që për tani nuk ka rëndësi, iu afrua dhe filloi të qajë. Tha se ishtë zënë me bashkëshortin.

Ai ishte zemëruar për diç aq sa në hidhërim e sipër i kishte thënë: Nga sot je sikurse nëna ime. Kjo gjë ishte e shpeshtë te arabët. Kuptimi i kësaj ishte: Divorcohem nga ti. Dhe më asnjëherë nuk të dëshiroj, ngase të mendoj për ty është si të mendoj për nënën time.

Kjo ishte më rëndë se çdo divorc. Por, ata kështu vepronin. Kjo ishte përherë si betim dhe kur bashkëshorti i thoshte kështu bashkëshortes, kjo do të thoshte që më asnjëherë nuk do ta kthejë.

Për arabët ta shkelësh fjalën ka qenë si ta shkelësh nderin e vet. Kur bashkëshorti e thoshte këtë bile edhe nëse i vinte keq nuk mund ta kthente këtë, ngase tani kjo ishte lufta në mes dashurisë ndaj bashkëshortes së tij dhe krenarisë së tij.

Te arabët në kohën e injorancës kjo nënkuptonte që krenaria gjithmonë triumfonte. Disa nga këto zakone i bënin edhe sahabët të cilët nuk e kishin mësuar fenë mjaftueshëm. Dhe ja kështu ishte edhe kjo ngjarje në mes sahabiut dhe sahabës. Ky njeri ishte musliman. Por, zakonet nga e kaluara nuk mundën menjëherë të zhduken. Kur Allahu xh.sh. i përshkruan sesi Pejgamberi s.a.v.s. i ka edukuar sahabët, i përshkruan në rolin e bujkut:

            “Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet, e ai trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet, ajo e mahnit mbjellësin.”

(El – Fet’h, 29)

            Shembulli që është sjellë këtu është imazhi i paraqitur në kaptinën Fet’h, e ky është se njerëzit ngadalë zhvillohen, ashtu sikurse të lashtat që zhvillohen ngadalë. Fara nuk transformohet gjatë natës në bimë të plotë, por i duhet kohë.

Andaj, edhe sahabët ende zhvilloheshin. Kjo zënkë ndodhi dhe ky njeri besimtar, i cili bashkëshortes së vet besimtare, i tha ti je sikurse nëna ime, ndërsa ajo e di që në traditën e tyre kjo d.m.th. se nuk janë më bashkëshortë. Ajo vjen duke qarë te Pejgamberi s.a.v.s. Kjo traditë quhej “dhihar”, divorc me dhihar, d.m.th. të jesh agresiv ndaj dikujt, t’ia kthesh shpinën (ar. dhahr).

Ajo erdhi te Pejgamberi s.a.v.s. duke i thënë: “Çfarë të bëj? Më jep ndonjë zgjidhje. Burrin tim e dua si askë tjetër. E di se ndonjëherë flet gjëra të çmendur, por unë edhe më tej e dua. Ai është edhe babai i fëmijëve të mi. Nëse divorcohem, fëmijët duhet t’i takojnë dikujt. Nëse më takojnë mua, do të vdesin nga uria, ngase unë nuk fitoj të holla. Nëse i takojnë atij, do të vdesin, ngase ai nuk di të kujdeset për fëmijët. Familja na shkatërrohet. I Dërguar i Allahut, çfarë të bëj?”

Pejgamberit s.a.v.s. iu parashtrua situata, ai nuk dinte asgjë detalisht, e dinte vetëm që sipas zakoneve të këtij populli, dhihari është divorc dhe përgjigjja e tij e parë ishte: “Ai nuk të lejohet më.”

Por ajo e luste të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s.: “Më jep diç tjetër, më jep diç tjetër.”

Ndërsa, ai tha: “Nuk mund të jap asgjë më tepër.”

            Pejgamberi s.a.v.s. refuzoi t’i jep asaj përgjigje tjetër. A e dini pse? Sepse gjykatësi për të dhënë gjykim të drejtë duhet të dëgjojë të dy palët. Gjykatësi nuk mund të thotë: Ai nuk të lejohet më, derisa nuk i marr dy anët e ndodhisë. Ndërsa burri, ndoshta për shkak të krenarisë nuk guxon të thotë asgjë. Ai nuk mund të thotë asgjë, ndërsa kjo grua që mbante fëmiun e saj të vogël, u shqetësua. Filloi ta ngrit zërin e saj ndaj Pejgamberit s.a.v.s. dhe filloi të polemizojë me të. Filloi të qajë duke thënë: “Unë ankohem te Allahu! Ankohem te Allahu për shkatërrimin tim! Ankohem te Allahu për çfarë më ka ndodhur!”

Dhe kur u ankua te Allahu, zbriti verseti. Shikoni sesi Allahu xh.sh. përgjigjet:

            “Vërtet, All-llahu dëgjoi fjalët e asaj e cila bisedoi me ty lidhur me burrin e vet, që u ankua te All-llahu.”

(El – Muxhadele, 1)

            Allahu tani më e dëgjoi rënkimin, fjalët e gruas e cila polemizoi me ty. “Kad semia” në kohën e kaluar d.m.th. Allahu tani më i dëgjoi rënkimet e saj, kur ka qenë në shtëpinë e saj dhe kur bashkëshorti i saj i tha. Dhe, atëherë kur filloi të qajë, Allahu e dëgjoi këtë. Kur shkoi te i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., duke qarë rrugës, Allahu e dëgjoi këtë.

Por, kur erdhi dhe filloi të polemizojë dhe ngriti zërin ngase nuk i mbeti asgjë tjetër, ngase ishe aq e ngulfatur nga emocionet dhe e tronditur, Allahu i dëgjoi këto.

Allahu qëndroi në anën e saj. Allahu ishte në anën e saj.

Dhe Ai thotë:

“Prandaj All-llahu e dëgjon bisedën tuaj, All-llahu dëgjon çdo bisedë dhe sheh çdo punë.”

(El – Muxhadele, 1)

            Allahu i dëgjon dy bisedat tua. Ndërsa dy bisedat janë interesante. Çfarë d.m.th. kjo? Në njërën anë, Allahu dëgjon bisedën e Pejgamberit s.a.v.s. dhe kësaj gruaje. Por, Allahu gjithashtu thotë: “Secili burrë dhe secila grua që bisedojnë, Allahu dëgjon secilën bisedë tuaj.”

Dhe kur i thua diç të keqe e të rëndë bashkëshortes tënde, Allahu të dëgjon.

Allahu e dëgjon rënkimin dhe qarjen e gruas e cila me fjalë është e keqtrajtuar. Bile edhe nëse dikush me fjalë e maltreton dhe keqtrajton gruan, Allahu këto i dëgjon, bile edhe nëse i thua diç sikur “je e shëmtuar”, “nuk mund të shoh”, “kur të shikoj ty, sikur e shoh nënën time”.

Nuk duhet as t’i përsëritësh ato fjalë që arabët thonin në injorancë, mund t’i kesh tuat të mjaftueshme. Por, nëse e thua këtë, Allahu dëgjon. Allahu thotë:

All-llahu dëgjon çdo bisedë dhe sheh çdo punë.”

(El – Muxhadele, 1)

            Tani, çfarë ndodh më tej? Përgjigjet Allahu i madhërishëm:

            “Ata prej jush që bëjnë “Dhihar” (epërsia ime ndaj teje është haram si epërsia ndaj nënës sime) ndaj grave të veta, në të vërtetë ato nuk janë nënat e tyre, nënat e tyre janë vetëm ato që i kanë lindur ata, ndërsa ata janë duke thënë fjalë të irituara dhe gënjeshtra, por All-llahu është që lë shumë pa marrë në përgjegjësi dhe shumë falë.”

(El – Muxhadele, 2)

            Tani, këta njerëz që ka thënë diç kështu, kanë rënë në bezdi të madhe. Kam menduar kur e kam lexuar këtë verset për herë të parë që kjo grua do të bezdiset, ngase e ka ngritur zërin ndaj Pejgamberit s.a.v.s. Por, Allahut nuk i nevojitet të dëgjojë edhe tregimin tjetër. Ai di të dy anët e rrëfimit. Për dallim nga Pejgamberi s.a.v.s., i cili dëgjoi vetëm një rrëfim, Allahu i di dy anët e rrëfimit dhe mund të sjell gjykimin e Tij. Dhe ai thotë: Fajtor i vërtet është burri i cili e ka thënë këtë gjë të marrë dhe pakuptim! Ai është në problem të madh, por Allahu është i përgatitur që ta falë.

Burri në fillim të këtij verseti, kur Allahu thotë se është duke thënë fjalë të irrituara dhe gënjeshtra, ky njeri është musliman. Dhe versetet e Kuranit zbresin për muslimanët. Muslimani i cili e bëri këtë gabim të madh, dhe frikësohet, u dërrmua. Por, Allahu thotë: Allahu me siguri fshin mëkatet dhe shum falë. Por si do ta fal Allahu?

Çfarë duhet të bëjë që të meritojë faljen e Allahut?

 

Allahu thotë:

            “Ata që krahasojnë (me nëna) dhe largohen nga gratë e veta, e pastaj zbrapsen nga ajo që kanë thënë . . .”

(El – Muxhadele, 3)

            Ata pra që u thonë këto grave të tyre dhe pastaj vendosin të tërhiqen nga kjo: “Më fal shpirt, nuk menduar kështu”, “Eja, zemër, se ndonjëherë më vie kjo ndërmend”, “Nuk është kjo gjë e madhe. Këto janë vetëm fjalo, harroji” . . .

Dëshirojnë të bëhen pishman?

Ja çfarë duhet të bëjnë siç thotë Allahu:

. . . Janë të obliguar që para se të kontaktojnë ndërmjet vete ta lirojnë një rob.”

(El – Muxhadele, 3)

Më mirë është ta lirojë një rob para se të kontaktojnë njëri me tjetrin. Lirimi i robit, sipas Islamit është keffaret, shpagim për mëkate të mëdha. Lirimi i robit nuk është diç e vogël. Këtë e bën kur ke bërë mëkat të madh. Nga perspektiva e burrit, ai ka thënë vetëm disa fjalë, e ka liruar gjuhën. Nuk duket gjë e madhe. Por, sipas gjykimit të Allahut, ky është problem i madh, i cili mund të shpaguhet me lirimin e robit ose në disa mënyra tjera.

Allahu më tej vazhdon:

            “Kjo është dispozitë me të cilën porositeni, e All-llahu është i njohur hollësisht me atë që ju punoni.”

(El – Muxhadele, 3)

            A dëshiron falje? Shko dhe liro robin. Sot, ku do ta gjesh robin? Allahu i madhërishëm në vijim thotë:

“E kush nuk gjen (rob për lirim), atëherë le të agjërojë dy muaj rresht para se të kontaktojnë.

(El – Muxhadele, 4)

            Atëherë, do të agjërosh dy muaj pa ndërprerë, pa bërë pauzë. Nëse pauzon, atëherë do të nisë nga fillimi. Pra, gjashtëdhjetë ditë rresht.

Por, nëse as këtë nuk mundesh, çfarë do të bësh? Përgjigjet Allahu i madhërishëm:

“. . . E kush nuk mundet, atëherë le t’i ushqejë gjashtëdhjetë të varfër. Kjo (dispozitë ju shërben) për të vërtetuar ju se besoni All-llahun dhe të dërguarin e Tij (e jo zakonet injorante). Këto, pra janë përcaktimet e All-llahut. Ndërkaq, mohuesit kanë dënim të rëndë.”

(El – Muxhadele, 4)

            Pra, ose do ta lirosh robin, ose do të agjërosh gjashtëdhjetë ditë pa ndërprerë, ose do t’i ushqesh gjashtëdhejtë të varfër, për arsye se e ke zgjidhur gjuhën tënde. E gjithë kjo për shkak të bisedës që ka ndodhur në dhomën e gjumit, pa ditur tjerët. Por, Allahu di nga urtësia e Tij çdo gjë që bëjnë njerëzit.

Dhe kur kjo grua ka ardhur te i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., duke qarë e rënkuar, Allahu i madhërishëm ka mundur të shpall përgjigjen në pyetjen e saj para se ta hap gojën. Por, Allahu i madhërishëm e ka planifikuar që kjo grua të vjen, ka planifikuar që kjo grua të ngrit zërin e saj, që të gjithë të dëgjojnë që gruaja e cila ka qenë psiqikisht e maltretuar dhe keqtrajtuar verbalisht nga burri i saj, por Allahu ishte në anën e saj. Ajo nuk ishte në pozitë të ketë forcë, ka menduar se është pa ndihmë. Por, ajo kishte përkrahjen më të madhe se çdo kush tjetër. Allahu e mbron dhe e përkrah. Dhe dëmin duhet ta paguajë bashkëshorti.

Vetëm Allahu përcakton ç’është e lejuar dhe vetëm Ai përcakton ç’është e ndaluar. Kur kundërvihesh çfarëdo nga këto, kur merr hallall nga Allahu dhe e bën haram, paguan gjashtëdhjetë. Kur merr haram nga Allahu dhe e bën hallall, paguan gjashtëdhjetë. Kjo është çështje e hallallit dhe haramit. Kjo është çështje e ligjit dhe dispozitave të Allahut, që Ai i ka vendosur. T’i përqeshësh këto te Allahu është baraz me pabesim (kufr).

Për këtë, verseti në vijim thotë:

            “Është e vërtetë se ata që i kundërvihen All-llahut dhe të dërguarit të Tij janë të mposhtur, ashtu siç u mposhtën ata përpara tyre. Mirëpo, Ne u kemi shpallur fakte të qarta, e për mohuesit është një dënim i turpshëm.”

(El – Muxhadele, 5)

            Tani njerëzit që veprojnë kështu krahasohen me popujt e mëparshëm që janë shkatërruar. Ata kanë pasur dënim të turpshëm! Ti e ke përulur bashkëshorten tënde, e tani Allahu thotë se të pret dënim nënçmues nëse nuk pendohesh, nëse nuk përmirësohesh.

Pason verseti në vijim:

            “Në ditën kur All-llahu i ringjall ata të gjithë, i njofton me atë që kanë punuar, pse All-llahu ka mbajtur ato shënime, edhe pse ata i kanë harruar. All-llahu është Ai që çdo send e sheh dhe e përcjell.”

(El – Muxhadele, 6)  

            Ditë në të cilën Allahu do të lajmërojë për të gjitha gjërat, ti i ke harruar, por Allahu i kujton.

Por, a e dini çka? Kur zbritën këto versete a thua sahabiu vrapoi te Pejgamberi s.a.v.s. dhe tha: Por i Dërguar i Allahut, versetet zbritën, por ti nuk e di anën time të tregimit . . . ajo këtë e ka merituar . . . ose ajo në të vërtetë ndonjëherë . . . gjithmonë ekzistojnë dy anë të tregimit . . .

Por, e di çfarë? Versetet e Allahut nuk janë këtu që ti të thuash ç’është me këta.     Ndalo të fshehesh pas kësaj: E ç’është me këta?

Tani unë po të flas ty dhe vetit.

Edhe motrat që e dëgjojnë këtë mos e shfrytëzoni këtë për burrat tuaj. Kjo është në mes tyre dhe Allahut. Dhe një ditë do të kthehem dhe do t’u drejtohem edhe juve.

Merre përgjegjësinë për atë që bën! Ndalu duke mos u fshehur dhe mbrojtur.

Ndalu e mos murmurit: Jo, jo, por kjo nuk është situatë e paraqitur drejtë. A thua dëshiron që kaptinën el – Muxhadele ta quash “situatë e paraqitur padrejtë”? Vetë kaptina është leksion i Allahut. Ai kështu na mëson.

Në kaptinën Muxhadele, dy të tretat e saj nuk janë të lidhura me këtë çështje.

Këta janë vetëm gjashtë versetet e parë. Pjesa tjetër e kaptinës është në lidhje me njerëzit që kurdisin intriga kundër Pejgamberit s.a.v.s., për hipokritët.

Allahu flet për njerëzit që bëjnë takime të fshehta për të përgatitur tradhtinë kundër Pejgamberit s.a.v.s. Disa kanë bërë intriga për ta shkatërruar punën dhe mundin e tij, disa kanë bërë intriga për ta mbytur.

Shohim dy biseda që udhëhiqen në fshehtësi.

  1. Njerëzit dëshirojnë ta dëmtojnë Islamin, ta shkatërrojnë Medinën, ta mbysin Pejgamberin s.a.v.s.
  2. Biseda e fshehtë në mes burrit dhe gruas.

Dhe cili nga këto dy është prioritet më i madh, cili ka ardhur i pari? Biseda në mes burrit dhe gruas. Pyetni cilindo nëse nuk e studion Kuranin, çfarë mendon, cili është problem më i rëndësishëm, problemet bashkëshortore apo intrigat kundër Pejgamberit s.a.v.s.?

Do të thotë: Intrigat kundër Pejgamberit s.a.v.s. Jo, kjo nuk është kështu te Allahu. Ai na mëson për diç. Na mëson cili është qëllimi i kësaj feje, që të mbrojë integritetin e individit, që të mbrojë integritetin e familjes. Nëse nuk e mbron integritetin e familjes, nuk ke objektiv ta mbrosh komunitetin. Ngase komuniteti nuk është asgjë pos grumbull i familjeve të shëndetshme. E tërë feja bazohet në këtë.

Tërë tregimi i njerëzimit ka filluar me familjen. Ky është prioritet në fenë tonë, për këtë është përmendur më parë. Në krahasim me këtë, bile edhe intrigat kundër Pejgamberit .s.a.v.s. janë sekondare. Këto prioritet nuk duhet ne vetë t’i paramendojmë.

Këto prioritet tanimë janë të caktuara dhe cekura në Librin e Allahut.

Ne, Librit të Allahut nuk i japim rast. Njerëzit duan të citojnë një verset nga një vend, ndërsa tjetrin nga një vend tjetër, por vetit ia kanë caktuar çfarë është prioritet.                   Fjala e Allahut duhet të jetë më e larta. Ajo që ka thënë Allahu është e larta.

Ndërsa ajo që ti dhe unë mendojmë se është më me rëndësi, në realitet është më pak e rëndësishme! Duhet t’i caktojmë prioritetet tona, mënyrën tonë të menduarit për fjalën e Allahut.

Lutemi Allahut që ta bëjë këtë ummet që të mendojë ashtu që Allahu të jetë i kënaqur, nëpërmes të folurit të Allahut. Në Librin e Allahut, Allahu  nuk thotë përse nuk dini, por thotë: Pse nuk mendoni? Mund të kesh shumë dituri, por nuk mendon!

Allahu na mëson sesi të mendojmë! Lutemi Allahut që të na bëjë njerëz që mendojnë.

Dhe lutemi Allahut që gjërat e familjeve tona t’i kuptojmë seriozisht, ngase Allahu i madhërishëm dëgjon çdo bisedë!

Lutemi Allahut që burrat e këtij ummeti t’i bëjë burra të mirë dhe gratë e këtij ummeti gra të mira. Dhe lutemi Allahut që burrat dhe gratë e këtij ummeti t’u jep aftësi që të edukojnë fëmijë të mirë që do ta përcjellin mesazhin e Islamit, ashtu siç duhet.

Lutemi Allahut që të na jep ndjenjë të fortë të përgjegjësisë në çdo punë që bëjmë dhe lutemi Allahut që të na bëjë të suksesshëm para Tij në ditën e Gjykimit dhe mos të na bëjë prej atyre që i kanë anashkaluar këto gjëra, ngase i kanë konsideruar imtësi, për të kuptuar në ditën e Gjykimit se kanë qenë të mëdha.

 

Nouman Ali Khan

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali Iljazi