KURANI FAMËLARTË NGA KËNDVËSHTRIMI SHKENCOR BASHKËKOHOR

Allahu i madhërishëm e ka krijuar njeriun të dobët. Në këtë kuptim, Ai thotë:

            “Allahu dëshiron t’ju lehtësojë (dispozitat), e megjithatë njeriu është i paaftë (për t’u përballuar epsheve).”

(En – Nisaë, 28)

Kjo dobësi dhe pafuqi ka të bëjë me dobësinë psikike dhe fizike. Njeriu kur shikon rreth vetes në ballafaqim me argumentet e Zotit që e rrethojnë, siç janë qiejt, toka, vullkanet, tërmetet, vetëtimat, bubullimat, shtrëngatat, përmbytjet, vërtet ndihet i pafuqishëm dhe i dobët.

Edhe në kuptimin intelektual, poashtu është i krijuar i dobët:

            “Të pyesin ty për shpirtin; Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije.”

(El – Israë, 85)

Dituria e njeriut është e vogël dhe atë e përcjellin dy pengesa të përhershme: padituria para diturisë dhe harresa pas diturisë.

Pos kësaj, njeriu nuk e njeh ardhmërinë dhe atë që do të ndodhë:

            “S’ka dyshim se vetëm Allahu e di kur do të ndodhë kijameti, Ai e di kur e lëshon shiun. Ai e di se ç’ka në mitra (të nënave), nuk e di kush pos Tij se çka do t’i ndodhë (çka do të punojë) nesër, dhe askush nuk e di, pos Tij, se në ç’vend (ose kohë) do të vdesë. Allahu është më i dijshmi, më i njohuri.”

(Llukman, 34)

Është i krijuar i paaftë në veprimet e tij, por edhe në kuptim, kështu që ai atë që është larg e konsideron afër, ndërsa atë që është afër e konsideron larg, të dobishmen e konsideron të dëmshme, ndërsa të dëmshmen të dobishme, por gjithashtu nuk i di as pasojat që rrjedhin nga veprimet e tij.

Dobësia njeriun e përcjell që nga momenti i krijimit të tij, për këtë secili mund të pyes: A thua njeriu e di këtë fakt? A thua njeriu mendon nga është krijuar? A e di njeriu se është krijuar nga asgjë dhe ka qenë asgjë? A thua njeriu mendon për forcën e cila e krijoi nga asgjë dhe e formësoi?

Njeriu sado që vepron fuqishëm, me forcë prapë në esencën e tij është i dobët në çdo pikëpamje të personalitetit të tij.

Faktorët e dobësisë së njeriut vërehen sa vijon:

– Përparimi i madh shkencor prapëseprapë është ende i kufizuar. Ende ka regjione të trupit të njeriut të pahulumtuara dhe mbesin të panjohura. Dituria për trurin, harmonia funksionale e pjesëve të trupit ende janë të panjohura. Nëse i qasemi ndjenjave dhe të kuptuarit do të gjejmë shumë gjëra nga këto lëmenj në nivel hipotetik, e jo në fakte të sigurta.

– Shkencëtarët duke studiuar njeriun gjithnjë hasin në udhëtime të shtrembëruara kurdo që përparojnë.

Allahu i madhërishëm thotë:

“Të pyesin ty për shpirtin; Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije.”

(El – Israë, 85)

Dobësia e njeriut rritet edhe atëherë kur njeriu lëshohet në konflikt në mes mendjes dhe emocioneve. Atëherë kupton se është i paaftë të mbrojë ndjenjat e tij ose të ngadhënjejë mbi frikën. Njeriu është i paaftë të dijë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, të nesërmen apo pas një ore. Për këtë nëse njeriu e di që është i paaftë, ashtu siç përmendëm, atëherë nuk i mbetet asgjë tjetër pos të gjunjëzohet para këtij fakti dhe të kuptojë madhështinë e Zotit të tij për të marrë mësim nga kjo dhe të kërkojë falje përherë.

Në versetin në vijim vërehen shenjat e dobësisë së njeriut që e përcjellin gjatë gjithë jetës:

            “Allahu është Ai që ju krijoi në një gjendje të dobët, pastaj pas asaj dobësie ju dha fuqi, e pas fuqisë, dobësi e pleqëri. Ai krijon çka të dojë, Ai është më i dijshmi, më i fuqishmi.”

(Er – Rrum, 54)

Allahu i madhërishëm në Kuranin fisnik urdhëron e thotë:

            “Ne e kemi krijuar njeriun dhe e dimë se ç’pëshpëritë ai në vetvete dhe Ne jemi më afër tij se damari i qafës së tij.”

(Kaf, 16)

Nëse e shikojmë shpjegimin e këtij verseti sipas komentuesve tradicional, do të vërejmë që shumica e mendimeve ka të bëjë që me damarin e qafës mendohet në enën e gjakut, gjegjësisht arterien e qafës (a. carotis) të cilën arabët e kanë konsideruar si pjesë e aortës (Tefsir el-Bejdavi, Tefsir el-Xhelalejn).

Mirëpo, ekzistojnë edhe mendime tjera që konsiderojnë këtë shpjegim jopreciz, posaqërisht nëse ky verset shikohet më detajisht dhe shkencërisht, ngase sintagma “damari i qafës” (habl el-veridi) nuk ka të bëjë me enën e gjakut, sepse “habl” (litar, fije, etj.) nënkupton diç që nuk ka zbrazëti (nuk është gyp). Për këtë fjala “habl” nuk mund të emërtohet me diç të zbrazët, ngase për shkak të kësaj karakteristike do të humbasë forcën e saj dhe paraqet disa karakteristika tjera.

Allahu i madhërishëm në këtë verset ka lidhur atë me të cilën shpirti dëshiron (vesvese en-nefs), lidhet me afërsinë e damarit të gjakut.

Nëse merret parasysh që dëshira njerëzore ndodh në tru, duhet të kemi ndërmend se ekzistojnë edhe pjesë tjera të trurit që janë më afër trurit se aorta, e sidomos nëse merret parasysh që ena e gjakut nuk është e lidhur me dëshirën e njeriut (vesvese en-nefs). Kësaj duhet t’i shtojmë edhe sa vijon. Nëse me damarin që pulson mendohet në arterien e cila përcjell gjakun deri te truri, atëherë duhet pasur ndërmend se ekziston edhe arteria tjetër, rëndësia e të cilës nuk është aspak më e vogël.

Truri (encephalon) përbëhet nga tri pjesë:

  1. a) Trungu truror (truncus encephalicus);
  2. b) Truri i vogël (cerebellum);
  3. c) Truri i madh (cerebrum).

Shtojmë edhe të përmendurës faktin që në versetin e cituar tregohet që “damari pulsues” është organ unikal, nga e cila mund të konkludohet se kemi të bëjmë me organ tek, e që përsëri është fakt që nuk përputhet me shpjegimin e zakonshëm i cili është përcjellur deri më sot. Pra, është e qartë se ekzistojnë në dy anët e qafës dy arterie (damarë) e jo një.

Verseti tregon në tri cilësi të larta të Allahut xh.sh.: në forcën e Tij të pakufishme, në atë që Ai di lindjen e dëshirës që ndodh në shpirtin e njeriut, dhe se Allahu i madhërishëm është më afër njeriut se damari pulsues, për çfarë ka bërë me dije sesa e gjerë është dituria dhe përsosmëria e Tij në krijimin e njeriut dhe se Ai di gjërat me të cilat njeriu është i preokupuar me shpirtin e tij.

Për këtë, damari pulsues është diç shumë me rëndësi, ngase Allahu e ka lidhur përshpëritjen e njeriut dhe damarin pulsues në një verset.

Në esencë, me fjalën vesvese (bukvalisht – përshpëritje) nënkupton lëvizje apo zë i fshehtë i cili nuk dëgjohet. Sipas shumicës së mendimeve, vesvese en-nefs (zëri i fshehtë që ndodh në shpirt) ka lidhje direkte me mendjen, ndërsa mendja është manifestim personal, gjegjësisht manifestim i fshehtë i trurit dhe ka funksione kthyese. Mendja paraqet aparatin kthyes personal, ndërsa kohëve të fundit është vërtetuar qartë që ky aparat paraqet manifestimin qendror të vetëdijes. Nga kjo që u tregua mund të konkludohet që habl el-verid (damari pulsues) paraqet një prej pjesëve të rëndësishme të trurit i cili është i lidhur me vetëdijen, zgjimin, ndjenjave emocionale dhe direkt apo indirekt është i lidhur me pjesët e ndryshme të trurit.

Për këtë, konsiderojmë që damari pulsues (habl el-verid) padyshim paraqet trungun e trurit (Brain Stem). Por, Allahu përsëri e di më së miri.

Trungu truror është sistem nervor i cili ka gjatës 7.5 cm. Sipas përbërjes, dallon nga enët e gjakut, muret e së cilave veçohen me specifikat të cilat i bëjnë të specializuara për përcjelljen e gjakut. Vetë enët e gjakut nuk e kanë funksionin e lidhjes së pjesëve të organizmit. Përkundrazi, trungu truror paraqet lidhjen e trurit me palcën kurrizore dhe bart karakteristikat e litarit (habl). Fjala el-verid nënkupton transmetimin e informatave dhe impulseve brenda dhe jashtë trurit.

Nëse përsëri kthehemi te verseti i përmendur, do të vërejmë që konteksti tregon në lidhjen e “përshpëritjes” me litarin pulsues, pra ekziston lidhja direkte në mes asaj që shpirti fshehtazi i përshpërit njeriut dhe transformimit të ideve dhe mendimeve në aktivitete të dirigjuara, ndërsa aktivitetet e dirigjuara janë direkt dhe indirekt të lidhura me trungun truror.

Për këtë, Allahu i madhërishëm ka njoftuar në këtë verset që Ai di për përshpëritjet, kur ato ndodhin edhe para se të arrijnë të trungu truror ku zhvillohet transformimi nga qëllimi në veprim aktiv. Pra, Allahu është më afër te njeriu sesa kjo shkallë apo fazë, që d.m.th. se Ai është më afër njeriut se vetëdija e tij, ndjenjat e tij, zgjimit dhe vëmendjes, gjegjësisht të gjitha aktiviteteve që paraqesin “përshpëritjet e shpirtit”.

Të vërtetën e ka thënë Allahu i madhërishëm:

“Ne do ta lexojmë ty e nuk do ta harrosh (Kuranin).

            Përveç asaj që Allahu dëshiron. Ai e di të haptën e të fshehtën.”

(El – A’ëla, 6-7)

Në hadithin e Pejgamberit s.a.v.s. gjithashtu përmendet trungu truror. Hadithin për këtë e shënon Buhariu në Sahih, ndërsa e përcjell Seid b. Musejjeb nga Ebu Hurejre. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kur dikush nga ju flen, shejtani në pjesën e pasme të kokës (kafije er-re’s) ia lidh tri nyje dhe secila nyje shtrëngohet në vendin e vet duke thënë: Para teje është nata e gjatë, andaj fli. Kur njeriu ngritet dhe përmend emrin e Allahut, zgjidhet një nyje, kur merr abdes zgjidhet nyja e dytë, ndërsa kur falet zgjidhet nyja e fundit dhe pastaj bëhet punëtor dhe vullnetmirë, ndërsa në të kundërtën do të jetë me vullnet të keq dhe përtac.” (Buhariu)

Në këtë hadith janë argumentet dhe shenjat e përsosura që lidhen me trungun e trurit, e këto janë sa vijon:

  1. Në hadith përmendet shprehja “kafije er-re’s”, që d.m.th. pjesa e pasme e kafkës në të cilën është i vendosur trungu truror dhe truri i vogël.
  2. Hadithi tregon për të keqen më të madhe të njeriut, e kjo është kur flen, shejtani mbi kokë e lidh litarin që e pengon që të zgjohet deri në mëngjes. Është e njohur që zgjimi, vëmendja dhe vetëdija janë funksione të sistemit retikular aktiv i cili gjindet në pjesën qendrore të trungut truror.
  3. Hadithi përmend që shejtani lidh tri nyje, ndërsa secili ka vendin e vet të veçantë. Ne përsëri do ta kuptojmë mrekullinë madhështore të këtij hadithi, nëse dimë që trungu truror i ka tri sfera të qarta, e këto janë:
  4. a) Palca e zgjatur (medulla oblongata);
  5. b) Ura (pons);
  6. c) Truri i mesëm (midbrain – mesencephalon).

Palca e zgjatur (medulla oblongata) përmban disa qendra kontrolluese për funksione automatike vitale, si për frymëmarrje dhe shpejtësinë e rrahjes së zemrës.

Ura (pons) paraqet qendër të rëndësishme për lidhjen e informatave nga hemisferat e trurit me trurin e vogël.

Truri i mesëm (mesencephalon) kontrollon funksionet senzore dhe motorike, duke përfshirë lëvizjet e syrit.

Secila nga këto regjione përmban sistemin aktiv retikular me ndihmën e të cilit ndodh vetëdija.

  1. Nga hadithi i përmendur vërehet se zgjimi në namazin e sabahut është i mundur për shkak të afërsisë së agimit, vetëm nëse ekziston dëshira për këtë. Hadithi potencon që zhytja në gjumë të thellë zvogëlohet në mëngjes.

Por, përse disa gjejnë arsyetim që ngritja në namazin e sabahut është shumë e rëndë, e nuk dëshirojnë të thonë që vullneti i tyre për të ngadhënjyer zgjimin dhe ngritja e hershme është tejet e dobët?

Shkencërisht është vërtetuar se ekziston “zgjuesi biologjik” te njeriu, i cili është shumë më preciz se orët elektronike dhe mekanike. Kjo orë kurdiset me precizitet dhe vendosmëri, me vullnet dhe duke u ushtruar, dhe ajo e zgjon njeriun realisht për gjërat e caktuara të cilat ka vendosur t’i bëjë para gjumit.

Nga kjo që përmendëm mund të konkludojmë: trungu truror konsiderohet si damar i cili lidh trurin me palcën kurrizore (medulla spinalis), karakterizohet me lidhjen e gjërë nervore me qendrat e trurit, apo përcjell informatat nga truri dhe anasjelltas, por gjithashtu është e lidhur me siguri për zgjim dhe vëmendje.

Allahu i madhërishëm ka treguar në versetin e lartëpërmendur se është më afër te njeriu se damari i qafës (pra trungut truror). Ai di çfarë “shpirti përshpërit” para se të ndodhë. Ai është më afër te njeriu se faza kur përshpëritja dhe qëllimi publikohen në veprim material derisa kjo është ende në fazën e nxitjes nervore brenda trurit. Allahu është më afër njeriut se vetëdija, ndjenjat dhe vëzhgimet e tij.

Pra “damari i qafës”, sipas shumicës së ekspertëve është trungu truror (truncus cerebri) e jo damari i gjakut në “qafë”, siç e kanë komentuar në të kaluarën mufesirët tradicional. Pra, nuk kanë pasur qasje për atë që shkenca bashkëkohore dhe mjekësia kanë arritur, e tani janë më të qarta.

Allahu i madhërishëm në Kuranin fisnik urdhëron e thotë:

            “Ne e urdhëruam njeriun t’u bëjë mirë prindërve të vet, ngase nëna e vet me mundim e barti dhe me vështirësi e lindi, e bartja e tij dhe gjidhënia e tij zgjat tridhjetë muaj (e ai vazhdon të jetojë) derisa të arrijë pjekurinë e vet dhe kur t’i mbushë dyzet vjet, ai thotë: “Zoti im, më inspiro mua që të falënderoj për të mirën Tënde që ma dhurove mua dhe prindërve të mij, që të bëj vepra të mira që i pëlqen Ti dhe m’i bën të mirë pasardhësit e mij, unë pendohem te Ti dhe unë jam me myslimanët.”

(El – Ahkaf, 15)

Duke shpjeguar shprehjen “belega eshud-dehu” (periudha e pjekurisë), Ibn Kethiri thotë në Tefsirin e tij që kjo është koha kur intelekti arrin maksimumin dhe kur në tërësi e përsos të kuptuarit. Në këtë kuptim, dijetarët konsiderojnë që Pejgamberi a.s. nuk u dërgua si pejgamber, derisa nuk i plotësoi dyzet vjet të jetës.

Studimet psikologjike shpjegojnë që dituria e deponuar në memorien e njeriut në përgjithësi rritet gjatë 39 viteve të para të jetës, kur në këtë periudhë arrin edhe shkallën më të larë, pas së cilës pleqëria gradualisht zvogëlon kuantitetin e diturisë së deponuar:

            “A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kuranin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.”

(En – Nisaë, 82)

Kurani fisnik shëron shpirtin e njeriut edhe atëherë kur psikologët janë të paaftë që ta bëjnë këtë. Qëllimi i kryesor i shpalljes së Kuranit është njeriu me gjithë karakteristikat e tij të dukshme dhe të padukshme. Kurani ka qenë dhe do të mbetet ilaçi i parë i vërtetë për shpirtin e njeriut nëse pasohet.

Për këtë do të shkëpusim një trëndafil nga ky kopsht i pafund.

Allahu i madhërishëm urdhëron e thotë:

            “Nuk ndodh asnjë fatkeqësi në tokë e as në trupin tuaj, e që të mos jetë në shënime (libër – Levhi Mahfudh) para se të ngjajë ajo, e kjo për Allahun është lehtë.

            Ashtu që të mos dëshpëroheni tepër për atë që u ka kaluar, e as të mos gëzohi tepër me atë që Ai u ka dhënë, pse Allahu nuk e do asnjë arrogant që u lavdërohet të tjerëve.”

(El – Hadid, 22-23)

Asgjë në tokë nga sprovat nuk ndodh e që nuk ka qenë e shënuar më parë nga Allahu i madhërishëm në Librin e qartë (Levhi Mahfudh). D.m.th. dynjaja është si një tregim i cili tejkalon fantazinë. Besimtarin kur e godet fatkeqësia, duron, ndërsa kur i ndodh mirëqenie, është falënderues.

Me gëzimin dhe hidhërimin e që ndalohet në verset, mendohet në atë aspekt kur kalohet kufiri dhe vie deri te sjellja e kundërt e personit nga ajo sjellje që kërkohet.

Gëzimi dhe hidhërimi janë faktorë emocional që kanë ndikim të ndryshëm te njeriu. Studimet bashkëkohore mjekësore kanë vërtetuar që gëzimi dhe hidhërimi kanë veprim negativ në zemrën e njeriut. Për këtë, mjekët këshillojnë që lajmet tronditëse dhe të pikëllueshme mos t’u tregohen personave me pengesa në zemër. Poashtu, studimet  bashkëkohore mjekësore tregojnë që faktorët emocional sikur pikëllimi dhe gëzimi, munden ndonjëherë të shkaktojnë konsumim të tepruar të ushqimit pa vetëdije, e që shkakton mbipeshë, e cila përfshin shumë komplikime si p.sh. tension të lartë të gjakut, lëvizje të vështirësuara, gurëzit në fshikëzën e tëmthit, dëmtim të boshtit kurrizor dhe të gjunjëve (artroza), dobësim të muskujve, zgjerim të venave, vështirësi në frymëmarrje dhe dëmtim të sistemit kardiovaskular dhe cerebral.

Gjendja e frikës dhe pasigurisë, sëmundjet dhe ngjarjet tragjike në familje, situatat e rënda materiale, pasiguria në punë, mundi fizik i zgjatur, zhurma, pagjumësia dhe uria, por edhe situatat që bartin gëzim dhe kënaqësi të tepruar, në princip përshkruhen si “stresogjene”. Reaksionet në stres janë individuale.

Çfarë ndodh me organizmin në stresin akut?

Ngjarja e befasishme e padëshiruar, aversive ose e këndshme në skajshmëri në një situatë jetësore shkakton reaksione sa vijon:

  1. a) Truri regjistron rrezikun dhe menjëherë dërgon sinjal në organizëm i cili “lëshon” hormonin e quajtur kortizol;
  2. b) Hormoni mobilizon energjinë;
  3. c) Vigjilenca (zgjimi, vëmendja) rritet. Shpejtohet ritmi i zemrës. Enët e gjakut zgjerohen dhe tkurren. Metabolizmi në trup përjeton “ndryshim”;
  4. d) “Ndryshimi” i proceseve metabolike ka për qëllim që energjinë ta orientojë kah muskujt;
  5. e) Rreziku ka kaluar;
  6. f) Hormoni “mbyll” vetveten. Me kalimin në tru, ai “urdhëron” trurin që të pushojë, e që njëkohësisht paraqet ndërprerjen e tajimit të kortizolit;
  7. g) Organizmi kthehet në gjendje të mëparshme.

Por, çfarë ndodh me stresin kronik?

Situatat e gjata stresogjene siç janë vështirësitë e përhershme familjare, problemet e pazgjidhura afariste, papunësia, vetmia, veprojnë në mënyrën sa vijon:

  1. a) Truri i dërgon trupit sinjal që kortizoli të futet në aksion;
  2. b) Meqë situata stresogjene është e vazhdueshme dhe afatgjatë, hormone kortizol edhe më tej tajohet;
  3. c) Organizmi hyn në “zonën e kuqe” e cila karakterizohet me tendosje permanente, shqetësim, pagjumësi, depresion dhe simptome të karakterit funksional.

Dhe në fund këtu janë edhe komplikimet psikologjike që shkaktojnë mbipeshë, ngase personi është tejet larg dukjes së bukur dhe të harmonishme, lëvizjet janë të ngadalësuara, ndërsa perceptimi mendor poashtu është më pak aktiv.

Të gjitha që i përmendëm, Allahu i madhërishëm i përmbledh shkurtimisht me fjalët:

            “O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin).”

(El – A’rafë, 31)

Kurani fisnik në shumë versete ka treguar që fytyra e njeriut ndërron ngjyrën, d.m.th. nxihet kur bie në dëshpërim dhe pikëllim, e për këtë flasin versetet e Kuranit në vijim:

            “Kur ndonjëri prej tyre lajmërohet me (lindjen) vajzës fytyra e tij prishet dhe bëhet plot mllef.”

(En – Nahl, 58)

            “E kur ndonjëri prej jush lajmërohet me (lindje të vajzës) atë që ia pat përshkruar Zotit shembull, fytyra e tij, nxihet dhe i zihet fryma.”

(Ez – Zuhruf, 17)

Kurani famëmadh përmend një fakt të rëndësishëm i cili padyshim flet për atë që fytyra e njeriut është pasqyrë e shpirtit, kështu që gjendja dhe situata në të cilën gjindet mund të shihet duke e shikuar fytyrën e tij. Në këtë kuptim, Kurani fisnik thotë:

            “E kur u lexohen atyre ajetet tona të qarta, në fytyrat e atyre që nuk besuan u vëren urrejtje. Gati u vërsulen atyre që ua lexojnë ajetet tona. Thuaj: “A t’u tregoj për një më të keqe se kjo? Zjarri, të cilin Allahu e caktoi për ata që nuk besuan”. Sa i keq është ai vend ku do të shkojnë.”

(El – Haxhxh, 72)

Si dhe verseti:

            “Muhammedi është i dërguar i Allahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete, ti i sheh ata kah përulen (në rukuë), duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), e kërkojnë prej Allahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. Përshkrimi i cilësive të tyre është në Tevrat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet, e ai trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet, ajo e mahnit mbjellësin. (Allahu i shumoi) Për t’ua shtuar me ta mllefin jobesimtarëve. Allahu atyre që besuan dhe bënë vepra të mira u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh.”

(El – Fet’h, 29)

Për këtë fakt nuk është ditur asgjë derisa shkenca nuk përparoi duke ardhur deri te rezultatet e rëndësishme gjatë hulumtimit të tij. Këtë fakt e vërtetuan hulumtimet mjekësore dhe psikologjike duke vërtetuar se vërtet fytyra e njeriut është pasqyrë e shpirtit. Dr. Gaylord Haros për këtë thotë: “Fytyra yte në realitet është mesazhi yt kah bota, nëpërmes saj tjerët mund të njohin situatën në të cilën ti gjindesh, bile edhe vetë mund të shikosh në pasqyrë dhe saktë të përcaktosh gjendjen tënde, duke pyetur fytyrën tënde çfarë i nevojitet . . .”

Pikat e zeza nën sytë janë argument që njeriut doemos i nevojitet ushqimi, ajri i pastër dhe i freskët, ndërsa rrudhat që paraqiten qartë tregojnë për gjitha ato që njeriut i kanë ndodhur gjatë jetës, ato janë shenjë që flet për atë në çfarë mënyre rrjedh jeta njeriut.

Mjekësia bashkëkohore konstaton që fytyra posedon 55 muskuj të cilët i shfrytëzojmë pa dëshirën dhe vetëdijen tonë gjatë shprehjes së ndjenjave dhe emocioneve tona. Këta muskuj i rrethojnë nervat që i lidhin me trurin.

Çdo ngjarje, e mirë ose e keqe, lë gjurmë të thellë në fytyrë, për këtë fytyra e njeriut është e vetmja pjesë e trupit e cila zbulon njeriun dhe flet për gjendjen e tij, dhe nuk ekziston asnjë organ tjetër pos fytyrës me ndihmën e të cilit është e mundur të lexohet gjendja në të cilën ndodhet njeriu.

Për më tepër, shkencëtarët vërtetojnë se është e mundur të zbulohet karakteri dhe natyra e njeriut nëpërmes rrudhave në ballë.

Personat kokëfortë dhe këmbëngulës që nuk heqin dorë nga qëllimet e tyre, rëndom shtrëngojnë buzët.

Rrudhat e hershme rreth syve flasin për qeshjen e shpeshtë, ndërsa rrudhat e thella rreth syve tregojnë në hidhërim dhe pesimizëm.

Tek oratorët dhe personat që merren me punë të ngjajshme siç janë avokatët, etj., në mesin e fytyrës paraqiten linja të thella që arrijnë deri te qafa, ndërsa personat që tërë kohën kalojnë duke shkruar, siç janë daktilografët, pastaj rrobaqepësit dhe gjithë ata që janë të detyruar për shkak të punës specifike të mbajnë kokën ulur, rrudhat paraqiten në qafë.

Dr. Alexis Karel, fitues i çmimit Nobel në fushën e mjekësisë pohon: “Forma e fytyrës varet nga situata në të cilën gjinden muskujt që lëvizin brenda indit yndyror nën lëkurë, ndërsa gjendja e këtyre muskujve varet shumë nga idetë dhe rrjedhat e tyre.”

Secili njeri mund t’i jep shprehje fytyrës së tij që dëshiron dhe kësaj maske gjithnjë i përmbahet, por fytyra jonë pa marrë parasysh kundërshtimit tonë, e formëson gradualisht varësisht nga gjendja e ndjenjave tona, kështu që me kalimin e viteve fytyra bëhet foto përkatëse e ndjenjave dhe shpresave të personit.

Fytyra poashtu shpreh edhe aspektet e thella të aktivitetit të ndjenjave, kështu që në të përpos personit të prishur e mashtrues, inteligjencës së tij, dëshirave, emocioneve dhe frikësimeve, mund të shpreh edhe karakterin e trupit si dhe sëmundjet organike dhe psikike.

Pamja e trupit na udhëzon në gjendjen e organeve, ndërsa në fytyrë është përmbledhja e tërë trupit dhe ajo reflekton funksionin e gjëndrës mbrojtëse, lukthit, zorrëve, sistemit nervor, etj., udhëzon në karakterin dhe llojin e sëmundjes së personit.

Thënë shkurt, secili person bart në faqet e fytyrës së tij specifikën e trupit dhe shpirtit të tij.

Në këtë mënyrë shkenca ka ardhur deri tek argumenti për të cilin Kurani ka treguar, duke folur për fytyrën si pasqyrë e shpirtit në të cilën reflektohet gjendja e njeriut, sidomos kur është fjala për situatat që flasin për natyrën emocionale të njeriut, ndjenjat e tij dhe ngjajshëm. Për këtë është lehtë të njohim në fytyrën e njeriut pikëllimin dhe dëshpërimin, bile edhe atëherë kur e mbulon maska, por njëkohësisht fytyra reflekton edhe lumturinë, qetësinë dhe kënaqësinë, gjegjësisht shenjat e gjendjes shpirtërore të njeriut, por duhet me qenë lexues i mirë i shenjave në fytyrë.

Një prej karakteristikave të lëkurës është se çdo lloj gjallese lëshon një erë karakteristike që e dallon atë nga të tjerat. Brezat njerëzor ndryshonë nga aromat që dalin prej lëkurës së tyre. Ndërsa, kjo erë është e fortë tek zezakët dhe indianët, aq sa ndihet aq larg, pakësohet tek popujt tjerë. Burimi i këtyre erërave tek njeriu janë acidet organike që sekretohen nga gjëndrat yndyrore të vendosura në lëkurë. Kështu, Jakubi a.s. ndjeu erën e djalit të tij, Jusufit a.s. në këmishën e dërguar atij, siç konfirmon verseti i Kuranit fisnik:

            “(u nisën) Dhe posa u ndanë devet (prej qytetit), i ati i tyre tha: “Unë po e ndiej erën e Jusufit, mos më konsideroni të matufosur.” (këtë ia tha familjes së vet në Palestinë).”

(Jusuf, 94)

Pra, ky verset kuranor tregon dallimin e erës së djersës së Jusufit a.s. nga era e djersës së vëllezërve të tij. Shkenca ka vërtetuar se aroma e njeriut ndryshon nga mosha në moshë. Fëmija që ushqehet me qumështin e nënës së tij ka dallim prej fëmijës që ushqehet me qumësht lope. Era e djersës ndryshon në sëmundje të ndryshme të brendshme aq sa mund të bëhet tipike për çdonjërin prej tyre.

Kështu, tuberkulozi ka erë djerse të veçantë, diabetiku nxjerr erë acetoni si dhe të sëmurët me uremi e kanë erën e djersës karakteristike.

Andaj, Kurani fisnik na fton të meditojmë për krijesën njerëzore, të cilën Allahu i madhërishëm e përsosi në formën më të bukur:

            “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.”

(Et – Tinë, 4)

Allahu i madhërishëm ia ka bërë njeriut rolin organizativ ditor me ndërrimin e ditës dhe natës, kështu ka përcaktuar ditën për punë dhe aktivitete të ngjajshme, ndërsa natën për pushim. E bëri natën të ftohtë dhe të errët, ftohtësinë e saj shkas me të cilin dobësohet forca lëvizëse, ndërsa errësirën e saj shkas i qetësisë së shqisave, intelektit dhe shpirtit.

Lexojmë versetin kuranor duke medituar:

            “Allahu është Ai, që juve ua bëri natën të pushoni në të, e ditën të ndritshme. Allahu është dhurues ndaj njerëzve, por shumica e njerëve nuk e falënderojnë.”

(Gafir, 61)

Si dhe verseti:

            “Nga argumentet e tij është edhe gjumi juaj natën dhe ditën, edhe përpjekja juaj për të fituar nga të mirat e Tij. Në këtë ka argumente për popullin që dëgjon.”

(Er – Rrum, 23)

Pos kësaj, ka veçuar secilën periudhë të natës dhe ditës, kështu që bëhet ibadet në të tretën e fundit të natës, pastaj në mëngjes falet namazi i sabahut. Pastaj, Allahu i madhërishëm ka bërë edhe pushimin pas drekës (kajlule) për pushim të mendjes dhe shpirtit.

Kjo në tërësi përputhet me ritmin biologjik dhe me orën biologjike e cila precizon aktivitetin e trupit.

Me ritmin e biologjik të rregullt nënkuptohet devijim nga kufiri minimal deri në maksimum dhe përsëri nga kufiri minimal, kur është fjala për atkivitetin e organve trupore. Kjo është në përputhshmëri me planin kohor të përcaktuar i cili njëkohësisht është i pandryshuar dhe është një prej karakteristikave tejet të rëndësishme për materien e gjallë.

Është i paracaktuar gjenetikisht. Ora biologjike është përgjegjëse për orientimin periodik dhe planifikim kohor, në mënyrë stabile të veprimit.

Ekzistojnë gjenet që quhen per dhe tim, që janë nën ndikimin e errësirës dhe dritës, zvogëlohen nën ndikmin e dritës së fortë, ndërsa rriten në errësirë.

Ekzistojnë edhe dy gjene që quhen “clock” dhe këta bashkohen me gjenet per dhe tim për t’i aktivizuar dhe filluar me punën e orës biologjike.

Këta katër gjene e përbëjnë qendrën e orës biologjike. Ciklusi fillon në drekë, pastaj grumbullohen proteinat derisa nuk arrijnë maksimumin e tyre para agimit, ku zvogëlohen për të filluar ciklin e ri (në drekë).

Faktorët e jashtëm ndikojnë në orën biologjike.

Drita dhe errësira – zgjimi dhe gjumi – zhurma dhe qetësia

Këta faktorë të jashtëm veprojnë në adaptimin e sërishëm me rolin mbizotërues të mjedisit, dhe këtë me mënyrën e ndryshimit të kualiteit dhe kuantitetit në gjenet që kontrollojnë saktësinë e orës biologjike, e që sjell deri te ndryshimi i funksioneve të organeve në sjellje.

Numri i orëve përcakton kohën e dritës kur ritmi biologjik arrin kulminacionin e tij:

– Rritet sekretimi i kortizolit.

– Rritet niveli i sheqerit, metabolizmi i yndyrave dhe proteinave.

– Rritet shkalla e energjisë së domosdoshme për aktivitetin ditor.

Në drekë:

– Testosteroni arrin kulminacionin.

– Niveli i adrenalinës ende është i lartë.

– Ndjenja e urisë sjell deri te tendosja.

– Rritet aktiviteti i zemrës dhe është i domosdoshëm largimi nga mundimet dhe preferohet “kajlula” (fjetja pas drekës).

Në mbrëmje:

– Lirohet melatonini.

– Zvogëlohen rrahjet e zemrës, bie temperatura e trupit.

– Përgjumësia.

– Zvogëlohet niveli i kortizolit, aktivizohet imuniteti.

Ora biologjike është shkas i hipertensionit, mbipeshës dhe rezistencës në insulinë.

Përkujtojmë versetet e Kuranit fisnik duke medituar:

            “Thuaj: “Sikur Allahu t’a bënte natën të përhershme (t’ua zgjaste) deri në ditën e kijametit, ç’mendoni, cili zot pos Allahut do t’ju sillte dritë? A nuk merrni vesh?

            Thuaj: “Më tregoni, nëse Allahu ua bën ditën të vazhdueshme deri në ditën e kijametit, cili zot pos Allahut do t’ju sjellë natë që të pushoni në të? A nuk shihni (sa po gaboni)!

            Po nga mëshira e Tij, u bëri juve natën dhe ditën për të pushuar në të dhe për të përfituar nga begatitë e Tij, prandaj, të jini mirënjohës!”

(El – Kasas, 71-73)

Në fund, mund të konkludojmë se sistemi nervor, ana shpirtërore (er-rruh) dhe egoja impulsive (en-nefs) e njeriut paraqet një çështje ende të panjohur për njeriun. Truri është enigmë e cila ende mbetet sfidë për shkencëtarët.

Islami ndërton gjërat në harmoni dhe lidhje në mes materies dhe shpirtit, shkencës dhe krijimit.

Rezultatet që kanë arritur shkencëtarët në studimet e mjekësisë gjatë këtyre tridhjetë viteve, qofshin në sferën e psikiatrisë, apo të sistemit nervor dhe funksionimit të tij të përsosur, qoftë për psikën dhe fenomenet parapsikologjike që kanë bërë shumë ekipe të shkencëtarëve, vërtetojnë për mrekullinë kulmore të Kuranit fisnik.

Andaj, mesazhi i Kuranit fisnik është i përhershëm dhe vlen për çdo vend, kohë dhe brez:

            “Ne do t’u bëjmë atyre të mundshme që shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?”

(Fussilet, 53)

LITERATURA:

 

  1. H. Sherif Ahmeti: Kur’ani. Përkthim me komentim në gjuhën shqipe, Prishtinë, 1987;
  2. Sejjid Qutb: O Okrilju Kur’ani, Sarajevë, 2000;
  3. Muhtesar Sahih el-Buhari, Tiranë, 2015;
  4. Dr. Halid Faik el-Ubejdi: Kur’an, nervni system i psihologija, Sarajevë, 2005;
  5. Fauci et al: Harrison’s, Principles of Internal Medicine, 17th Edition, USA, 2008;
  6. Saimir Bulku: Sekretet e mjekësisë në Kur’an, Tiranë, 2011;
  7. Dr. Halis Xhelebi: Et-tibbu mihrabul imani, 1955;
  8. Harun Jahja: Mrekullitë e Kur’anit, Tiranë, 2002;
  9. Terry F. Pettijohn: Psikologjia, Pejë, 1997;
  10. Abdul Fadil Muhsin Ibrahim: Biomedicina islamski pogledi, Sarajevë, 2001;
  11. Dr. Ali Iljazi: Kur’ani dhe shkenca bashkëkohore, Gjakovë, 2000;
  12. Dr. Ali Iljazi: Trajtesa të zgjedhura islame dhe shkencore, Shkup, 2010.