LAJKOMANIA – A JENI TË PREOKUPUAR ME RRJETET SHOQËRORE? – Dr. Farhat Zafar

Kur i ke vërtetuar për herë të fundit aplikimet tua për të parë numrin e lajkëve të postimit tënd? Para një minuti, apo para një ore?

Me rritjen e popullaritetit të mediave shoqërore, lajkomania infekton shumë individë. Kjo është që kur shkruajmë apo ndajmë postimet, bëjmë faqe dhe kalojmë kohën me qëllim të arritjes së famës virtuale në rrjetet shoqërore.

Njerëzit sot janë bërë të varur në paraqitjen e fotove në të cilat tregojnë rrobat e tyre, ushqimin dhe vendet ku shkojnë . . . Sipas raportit të “Informate Mobile Intelligence”, mesatarisht kalohet rreth 4,7 orë në ditë duke shfrytëzuar telefonët e mençur. Duhet të pyesim: Nëse jemi zgjuar 16 orë në ditë, sa është e mençur të harxhojmë kaq kohë pranë telefonëve të mençur? Në këtë tekst do të flasim për shkapërderdhjen e kohës në telefonët e mençur dhe sa e dëmton kjo produktivitetin tonë.

 

SI RRJETET SHOQËRORE NDIKOJNË TEK MYSLIMANËT?

 

Sot është bërë thjesht dhe lehtë të përgjigjemi dhe reagojmë në çdo gjë nëpërmes rrjeteve shoqërore. Reagohet në çdo gjë dhe për gjithçka, bile edhe imtësitë me qëllim të tërheqjes dhe kthimit të vëmendjes kah vetja. Islami na mëson që nuk duhet të përzihemi në diç që nuk është e mirë për ne apo që ne mund të na tërheq në polemizim, bile edhe kur ka të bëjë me lajmet e rrejshme.

I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë: “Nga bukuria e islamit të njeriut është ta lë atë që nuk i intereson”. (Neveviu)

 

KTHIMI I VËMENDJES KAH VETJA NËPËRMES RRJETEVE SHOQËRORE

 

Qëllimi kryesor i lajkimit në rrjetet shoqërore është tërheqja e vëmendjes nga ana e njerëzve që dëshirojnë të arrijnë famë nëpërmes të folurit për hallallin dhe haramin nëpërmes postimit.

Ja disa gjëra me të cilat njerëzit tërheqin vëmendjen kah vetja nëpërmes rrjeteve shoqërore:

 

  1. Martesa

 

Ndoshta ka të bëjë me personin i cili jeton me ne së bashku në të njëjtën shtëpi, por është bërë trend urimi i ditëlindjes, njëvjetori ose shprehja e dashurisë në rrjetet shoqërore. Shprehja e dashurisë duhet të jetë gjë private, në veçanti në mes burrit e gruas, e jo që këtë ta sheh tërë bota. Kjo i gjason shtëpisë nga qelqi privatësia e së cilës shihet edhe nga jashtë.

 

  1. Ushqimi dhe luksi

 

Është bërë krejt normale që dikush paraqet postimin: “Mu tani jam vendosur në hotel”, si dhe “Ky është mobili im i ri, laptopi i ri dhe vetura ime e re”. Në këtë mënyrë ne në realitet tërë botës i tregojmë begatitë materiale që na ka dhuruar Allahu xh.sh.

 

  1. Bukuria

 

“Vëlla sa bukur po dukesh!”, “Nuk je plakur fare!”, “Çfarë recete po përdor?”, “Mami, je artiste!”. Këso komente për disa nejrëz janë sikurse drogë dhe nuk mund të jetojnë pa këto. U është bërë ves që të veshen dhe dërgojnë foto me citate, e pastaj vrapojnë pas lajkimeve. Në kohën e fotoeditimeve meshkujt dhe femrat me dëshpërim lakmojnë për shikim fizik joreal, për selfim të pandërprerë, që të duken persona të rëndësishëm.

 

  1. Agonia

 

Nuk paraqiten vetëm momentet e lumtura. Njerëzit paraqesin edhe agonitë e tyre dhe momentet e dhembshme të jetës me tërë botën, lidhjen e ndërprerë të dashurisë, divorcin apo çdo gjë që i mundon dhe vuajnë.

 

  1. Obligimet fetare

 

Është një realitet pikëllues që sjellja e njerëzve në kërkimin e tyre për popullaritet shpesh kalojnë kufijtë e obligimeve fetare. Shumë besimtarë më me gëzim janë të preokupuar me fotografimin e Haremit të Mekës në vend që të bëjnë ibadet.

 

            DËMET QË SHKAKTON LAJKOMANIA

 

  1. Humbja e kohës

 

Njerëzit nuk kuptojnë sa kohë kalojnë dhe harxhojnë në aktivitetet që ndërmarrin me dëshirë që të përfitojnë popullaritet dhe vëmendje.

Këto janë sasi të mëdha kohore që mund t’i praktikojmë në përparimin e talentit tonë, ndërsa ne në realitet këtë produktivitet e harxhojmë në promovimin e mobilëve të mençur sikur kukullat në divan.

 

  1. Rrit obsesionin dhe pasigurinë

 

Kur përpiqemi të fitojmë vëmendjen e njerëzve, ne i rritim aktivitetet tona që na sjellin lajkime. Zgjuar apo në gjumë, gjatë lutjes apo pranë tavolinës fillojmë të brengosemi për këtë. Në realitet, dobia e dynjasë ose humbja na bëhen më të rëndësishme se qetësia e brendshme dhe shpirtërore. Fillojmë të mendojmë çka mendojnë tjerët për ne dhe çfarë bëjnë njerëzit tjerë. Kjo atëherë tek ne shkakton zili dhe xhelozi dhe na futin në rrethin e pafund të garimit.

Allahu xh.sh. thotë:

            “Juve u preokupoi përpjekja për shumimin (e pasurisë, të fëmijëve, të pozitës)!

            Derisa të mos i vizitoni varrezat (të bëheni banues të tyre – të vdisni).“

(Et – Tekathur, 1-2)

Këtu duhet marrë parasysh që secili që bën lajk fotografisë suaj nuk është e domosdoshme edhe me qenë i lumtur për shkas të suksesit dhe lumturisë tënde, ngase mund të shokoheni pasi të dilni publikisht dhe kuptoni sa nuk jeni të vlerësuar në përputhshmëri me lajkimet në fotot tua.

 

  1. Pengon dhe shqetëson tjerët

 

Kur ndajmë momentet e lumtura, udhëtimet dhe drekat në rrjetet shoqërore, duhet të ruhemi nga syri. Syri i keq mund të jetë shkas i ndërprerjes së lidhjeve tona miqësore, sëmundja apo humbja e pasurisë.

Së fundi, duhet me qenë të vetëdijshëm që shumica nuk kanë ato që ne kemi dhe gjinden në nevoja të mëdha. Sa më tepër vendosim gjëra të natyrës materiale, aq më e madhe është mundësia që do të pikëllojmë shumë njerëz dhe refuzojmë nga vetja. Ky mund të jetës shkas që ata të ndihen keq, të turpëruar dhe jomirënjohës për shkak se ata nuk i kanë këto.

Poashtu duhet marrë parasysh që luksi që kemi, Allahu xh.sh. mund të na merr lehtë kurdo.

 

  1. Nxit hipokrizi dhe josinqeritet

 

Që një vepër të jetë e pranuar tek Zoti duhet të plotësojë dy kushte: Të ketë bazë në sunetin e Pejgamberit a.s. dhe të jetë e bërë me nijet të sinqertë, qëllimi i të cilit është vetëm kënaqësia e Allahut. Paraqitja në fe quhet akt hipokrizie. Kjo është kryerje e veprave në vend të nijetit për hir të kënaqësisë së Allahut, të kërkohet kënaqësia e njerëzve.

Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Më së shumti që frikësohem për ju është shirku i vogël”. I thanë: “I Dërguar i Allahut, ç’është shirku i vogël?” U përgjigj: “Syefaqësia! Vërtet Allahu do të thotë në Ditën kur robërit (njerëzit) do të llogariten për veprat e tyre: “Shkoni tek ata para të cilëve jeni paraqitur me veprat tua në dynja, andaj shikoni a do të gjeni ndonjë shpërblim”. (Sunen Ibn Maxhxheh)

Paraqitja nuk është e kufizuar vetëm në ibadet, sikurse namazi apo agjërimi, por ka të bëjë edhe në kryerjen e çfarëdo vepre të mirë siç është sadakaja, ndihmesa e tjerëve që bëhet në vend të kënaqësisë së Allahut të madhërishëm, e kjo zvogëlon shpërblimin.

Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet veprat vlerësohen vetëm sipas qëllimeve dhe secili njeri do të fitojë vetëm atë që e ka pasur qëllim me veprën e tij, andaj nëse hixhretin e ka bërë në emër të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, hixhreti i tij është i Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ndërsa kush bën hixhret për dobi materiale apo për martesë, hixhreti i tij është për atë që ka pasur qëllim”. (Muttefekun alejhi)

 

  1. Lind kryelartësinë tek njeriu

 

Personi i cili pa marrë parasysh i tregon begatitë që ia ka dhënë Allahu, duke pritur nga njerëzit lajkët, beson se është i vlerësuar tek njerëzit bile mund të mendojë se është i superfuqishëm. Kur ne tregojmë dhe publikojmë luksin tonë, pamjen dhe devotshëmrinë, do të duhej të kujtojmë paralajmërimet e Pejgamberit s.a.v.s.: “Nuk do të hyjë në Xhennet ai në zemrën e të cilit ka një thërrmi të kryelartësisë”. Një njeri e pyeti: “Vërtet njeriu dëshiron që të ketë rroba dhe këpucë të bukura”. Në këtë Pejgamberi s.a.v.s. tha: “Vërtet Allahu është i bukur dhe e do bukurinë. Kryelartësia është refuzimi i të vërtetës dhe nënçmimi i njerëzve”. (Muslimi)

Ndërsa mu kjo udhëheq kah forma më e keqe e kryelartësisë, e cila rezulton me rritjen e ashtuquajturës devotshmëri. Personin të cilin njerëzit e lavdërojnë për shkak të devotshmërisë dhe diturisë, mund të mendojë se nuk ka të meta dhe është i pagabueshëm. Kur personi i tillë bie në kurthën e shejtanit të kryelartësisë dhe mendjemadhësisë, nuk ndalet duke kritikuar dhe nënçmuar tjerët për të metat dhe gabimet e tyre.

Nëse kështu sillemi, si mund të jemi të sigurt se veprat e mira na janë të pranuara?

 

            SI TË NDALEMI DUKE GJURMUAR PËR FAMË DHE POPULLARITET

 

  1. Përmirëso vetëdijen (koshiencën) për veten

 

Shkaku kryesor që jeta ynë është e ngjyrosur me ngjyrat e huaja është mungesa e ngjyrave personale.

Duhet veten ta njohim dhe ta pranojmë ashtu siç në realitet jemi. Duhet vetvetes t’i bëjmë lajke dhe ta harxhojmë kohën tonë me produktivitet. Kjo do të na jep siguri që në realitet nuk na nevojitet që tjerët të na vërtetojnë. Bëje listën e cilësive tua të mira e të këqija, e pastaj analizo ç’është e mirë, e ç’është e keqe! Pastaj provo që t’i përparosh të mirat, ndërsa t’i mënjanosh anët e këqija të personalitetit tënd.

 

  1. Mëso ta kontrollosh veten

 

Njerëzit të cilët hulumtojnë për famë dhe popullaritet janë të kyqur në paraqitjen kompulsive (nevojë e paepur për paraqitjen e veprimeve të panevojshme të cilat personi i përjeton si të dhunshme) dhe lajkime. Kur të na vijnë mendime kompulsive duhet të pyesim a thua këto vepra janë të vlefshme të harxhojmë kohën tonë, apo ato me të cilat kërkojmë kënaqësinë e Zotit. Harxhimi i kohës në internet shkakton rënien e produktivitetit tonë. Kur janë në pyetje teknologjia dhe mediat shoqërore, duhet të kemi disiplinë që do të na sjell shumë dobi. Kjo nënkupton të keni dëshirë të fortë dhe të sillni vendim që tjerët mos të përzihen në jetën tuaj. Të shqelmosh rrjetet shoqërore nuk është punë e lehtë.

 

  1. Të kesh qëllime të definuara dhe të pastërta

 

Derisa bëjmë forma të ndryshme të ibadeteve duhet të kemi qëllim kryesisht që të fitojmë kënaqësinë e Zotit e jo syefaqësinë. Duhet me qenë të kujdesshëm që veprat mos të na refuzohen për shkak të qëllimeve të gabuara. Kontrolloni qëllimet e juaj duke menduar për vetveten. Vërtetoni cilat qëllime janë të pastërta, çdoherë kur bëni ndonjë vepër, vendosni qëllimin tuaj qendror që çdo gjë që bëni le të jetë për hir të Zotit.

 

  1. Udhëhiqni me kohën

 

Për të zvogëluar harxhimin e kohës në internet dhe rrjetet shoqërore, duhet ta rregulloni kohën që këto faqe mos t’i hapni atë ditë, pas një kohe. Kohën e lirë harxhoni në gjëra të dobishme sikur mësimi për islamin, kërkimi i diturisë së dobishme, gjërave produktive dhe shfrytëzimin e kompetencave tuaja për mirëqenien e komunitetit ku jetoni. Njëherë kur vendosim këtë qëllim do të tërhiqemi nga bota e rrjeteve shoqërore, do të qasemi në jetën reale. Ndoshta bile edhe do të harrojmë që kemi pasur profil në rrjetet shoqërore.

 

 

 

Konkludim

 

Në momentin kur disa gjëra të gabuara në një shoqëri bëhen një kohë të gjatë, ato bëhen normë dhe protokoll i sjelljes. Kërkimi i vëmendjes në rrjetet shoqërore gjithashtu është bërë normë në shoqëri pa marrë parasysh efektet e dëmshme të këtij fenomeni. Të gjithë duhet të përpiqemi që ta ndërprejmë këtë rreth vicioz.

Nëse dëshirojmë që të tërheqim vëmendjen atëherë le të përpiqemi ta tërheqim vëmendjen e banorëve të qiellit. A ka publik më të mirë se ata?

“Kur Allahu e do një rob të Tij, e thërret melekun Xhibril a.s. dhe i thotë: “Unë e dua filan, filan robin Tim, edhe ti duaje! Dhe Xhibrili e do. Pastaj Xhibrili i thërret banorët e qiellit (melekët) dhe u thotë: “Allahu e do filan, filan robin e Tij, edhe ju duani! Dhe ata e duan. Pastaj kjo dashuri lëshohet edhe në Tokë dhe ky njeri pranohet edhe nga njerëzit”. (Buhariu)

 

Burimi: www.Akos.ba

 

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi