NGA ALLAHU VJEN NAFAKA JONË

Një njeri ishte varrmihës dhe merrej me vjedhjen e gjërave me vlerë që ishin në kufoma. Pas një kohe, u pendua dhe erdhi te Ebu Jezid el-Bistamiu dhe rrëfeu për jetën e tij.

Njerëzit pas kësaj e pyetën: “Me siguri ke parë gjëra të çuditshme derisa ke bërë këto. Çfarë ke parë diç më të çuditshme gjatë kësaj kohe?”

Ky njeri tani më i penduar tha: “Kam hapur mbi njëmijë varreza, por me siguri në nëntëqind prej tyre kam parë që trupi dhe fytyra e tyre nuk kanë qenë të kthyer kah Kibla!”

Njerëzit mbetën të habitur kur dëgjuan për këtë isharet negativ dhe e pyeteën el-Bistamiun: “Çka mendon, cili është shkaku i një gjëje të tillë?”

Ai tha: “Dyshimi i këtyre njerëzve në premtimin e Allahut se jep furnizim!”

Allahu i madhërishëm në Librin e Tij thotë:

            “E në qiell është furnizimi juaj dhe ajo që ju premtohet.

            Pasha Zotin e qiellit e të tokës, kjo është një e vërtetë, ashtu siç është e vërtetë se ju flisni.

(Edh – Dharijatë, 22-23)

Pra, Allahu betohet me Madhështinë e Tij se nafaka ime dhe e ytja është e sigurtë siç është i sigurtë të folurit tim dhe i yti!

A ka dikush që dyshon se flet, derisa fjalët dalin nga goja e tij?!

Cila është lidhja jonë në lidhje me nafakën?

Kjo është brenga e cila i mundon shumë njerëz. Kjo është brengë të cilën e bart secili, jo vetëm të varfërit, por edhe të pasurit.

Shkaku i kësaj brenge nuk mund të shpjegohet me atë se a ke apo nuk ke pasuri, ke apo nuk punë, si është ekonomia e qytetit dhe shtetit ku jeton, nuk mund të shpjegohet as me moshën . . .

Hasim që brengën për nafakë e kanë edhe të varfërit, por edhe të pasurit. Hasim që për nafakë brengosen edhe të punësuarit, edhe të papunësuarit, edhe banorët e vendeve të zhvilluara dhe më pak të zhvilluara. Atëherë, si ta përshkruajmë, cili është faktori i përbashkët për grupin e njerëzve që janë të brengosur për nafakë?!

Kur hulumton, sheh që shkas i kësaj frike dhe brenge është e lidhur me shpirtin dhe zemrën e njeriut!

Kur shpirti i njeriut forcohet me besim në premtimin e Allahut, ndërsa rritet me mbështetje në shkase, punën me dhjetë gishtërinj, atëherë në shpirt paraqitet dyshimi dhe frika nga varfëria!

Ne e dimë që Pejgamberi s.a.v.s. ka bërë lutje që Allahu ta mbrojë nga varfëria. Por, gjithashtu e dimë që dy ditë me radhë nuk ka ngrënë bukë! E dimë që Aisha r.a. thoshte që kalone një-dy muaj, pa ndezur zjarrin në shtëpinë e tyre! Kur u pyet çfarë kanë ngrënë, ajo përgjigjej: “Hurma dhe ujë!” E dimë poashtu që i kanë ardhur sahabët dhe janë ankuar se janë uritur duke treguar barkun në të cilin kishin nga një gurë, ndërsa ai, s.a.v.s., i tregonte dy gurë në barkun e tij!

Si atëherë, ka bërë lutje mos me qenë i varfër, por siç shohim ishte i varfër kur ishte në pyetje pasuria?!

Por, këtë ai vetë e zgjodhi! Iu ofruan që Allahu kodrat rreth Mekes t’ia bëjë flori, por ai refuzoi. Kishte zakon të thoshte: “Një ditë ushqehem dhe e falënderoj Allahun, ditën tjetër agjëroj dhe kujtoj të varfërit!” Ky është Pejgamberi yt! Përse atëherë bënte lutjen për të cilën po flasim?

Kanë thënë dijetarët që Pejgamberi s.a.v.s. asnjëherë nuk ka bërë lutje që Allahu ta mbrojë nga varfëria, por që Allahu ta mbrojë që të mos frikësohet nga varfëria!

Kur e sheh dikë që punon, përpiqet, mëson, studion, arrit profesione, dhe e pyet përse e bën këtë, përgjigjja kryesisht është: “Për të siguruar ardhmërinë!”

Gabim, çdo gjë që bëhet në jetë, bile edhe puna duhet të bëhet më qëllim që të arrihet kënaqësia e Allahut! Nëse thua se me këtë dëshiron të sigurosh ardhmërinë tënde, paraqiten dy probleme. I pari: Ç’është në realitet ardhmëria? Për besimtarin këto nuk janë vjet të shkurtëra që jetohet në dynja. Shikimi i besimtarit arrin shumë më larg se dynjaja e cila shumë shpejtë kalon. Vizioni i tij i ardhmërisë, zgjatet në atë që vie pas vdekjes . . . Problemi i dytë që paraqitet këtu është se fillon të mendojë që nafaka vjen nga puna dhe përpjekja yte, diploma . . . Dhe harron një gjë me rëndësi, që nafaka vjen nga Allahu . . .

Është dallim i madh në mes të kryerjes së shkaseve (përpjekja, puna, diploma), ky është ibadet, dhe në mes të mbështetjes në këto shkase, e ky është mëkat!

Do të sjellim një shembull. Fëmiu i vogël i thotë babait se dëshiron një ëmbëlsirë. Babai i thotë: – Nëse di të numërosh deri në dhjetë, do ta blej. Fëmiu thotë se di. Pastaj shkojnë në shitore dhe babai thotë: – Numëro deri në dhjetë! Fëmiu numëron deri në dhjetë, ndërsa babai i thotë shitësit: – Jepja ëmbëlsirën! Fëmiu e merr dhe e ha. Sikur mos të numëronte, babai ndoshta nuk do t’ia blente ëmbëlsirën. Por, a thua numërimi i tij ishte çmimi i ëmbëlsirës? Ditën tjetër, fëmiu shkon vetëm në shitore pa i treguar babait. I thotë shitësit: – Një, dy, tre . . . dhjetë. Shitësi i thotë: – Çka dëshiron? Fëmiu përsëri numëron deri në dhjetë. Shitësi përsëri e pyet se çfarë dëshiron, ndërsa fëmiu thotë: – Dje kam numëruar deri në dhejtë dhe ma ke dhënë ëmbëlsirën . . . Shitësi atëherë i thotë: – Djalë, unë nuk të kam dhënë ëmbëlsirën përse ke numëruar, por babai yt e ka kërkuar.”

Allahut i takon shembulli më i bukur!

Përpjekja yte, puna, diploma, të gjitha këto shkase janë si ky numërim deri në dhjetë! Ndërsa furnizmi është sikurse kjo ëmbëlsirë! Kur mendojmë që nga shkaset varet nafaka jonë, ne jemi mbështetur në numërimin deri në dhjetë, e nuk jemi mbështetur që të jemi të bindur në të që e ka urdhëruar shitësin ta jep ëmbëlsirën!       Kështu është edhe me nafakën! Ky është problem i individit, familjes, shoqërisë dhe problem i umetit! Mbaje mend se janë dy lloje shkasesh: material, e ky është që të përpiqesh, punosh, mësosh, përparosh në punë. I dyti është esencial, të bësh istigfar shumë. Kjo lehtëson arritjen me të lehtë të nafakës:

            “. . . Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtet falë shumë;

            Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk;

            Ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj.

(Nuh, 10-12)

Si dhe leximi i kaptinës El-Vakia. Kjo kaptinë rrit bindjen që nga Allahu vjen nafaka jonë.

Pra, kush dëshiron të jetë i qetë në çështjen e nafakës, duhet të t’i bëjë dy gjëra: t’i përkushtohet maksimalisht punës së vet, të përpiqet me qenë më i mirë në çfarëdo pune që bën, ngase kjo është virtyt i besimtarit të vërtetë, por në anën tjetër me qenë i vetëdijshëm që çdo kafshatë e jonë, çdo pikë që e fusim në gojë, çdo cent që e fitojmë, tek ne ka arritur me lejen e Zotit tonë!

Përkujtojmë versetin e Kuranit fisnik:

            “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që All-llahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj, Ai e di vendbanimin dhe vendstrehimin e saj (pas vdekjes). Të gjitha (këto) janë në librin e njohur (Levhi Mahfudhë).”

(Hud, 6)

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi