NGA KUSH KËRKONI NDIHMË GJATË SPROVAVE? – Jasmin Muxhahid

Nuk është lehtë në mes shtrëngatës kur fillon shiu rrëke i shoqëruar me vetëtima e bubullima. Kur retë e zezë mbulojnë diellin dhe çdo gjë që shihni janë valët e oqeanit që ju rrethojnë. Pasi nuk mund të gjeni rrugën tuaj, atëherë kërkoni ndihmë. Së pari filloni me thirrjet e rojes bregdetare. Nuk ka përgjigje. Pastaj kërkoni ndihmë nga anijet tjera. Përsëri nuk ju dëgjojnë. Atëherë përsëri përpiqeni ta drejtoni anijen. Nuk ka dobi. Kapeni për brezin e shpëtimit. Është i shqyer. Më në fund, pasi që i keni shfrytëzuar të gjitha mjetet, e ktheni fytyrën tuaj nga lartë dhe i luteni Allahut. Pra, nuk keni më askënd për ta thirrur. Nuk ka mbetur askush nga i cili jeni të varur, pos Allahu xh.sh.

A keni pyetur ndonjëherë përse kur më së shumti u nevojiten, të gjitha dyert e krijesave janë të mbyllura?

Trokitni, por asnjëra nuk u hapet. Atëherë vraponi tek tjerat. Poashtu i hasni të mbyllura. Pastaj shkoni nga dera në derë, trokitni, i bini fuqishëm, por askush nuk u hap derën për të cilat dikur u janë hapur, por tani papritmas mbyllen. Përse? Çfarë ka ndodhur?

Shikoni, ne njerëzit i kemi disa karakteristika të cilat Allahu i madhërishëm i njeh shumë mirë. Ne vazhdimisht jemi në gjendje të nevojës. Ne jemi të dobët. Por, njëkohësisht ne jemi të ngutshëm dhe të padurueshëm. Kur jemi në fatkeqësi, ne jemi të shtyrë të kërkojmë ndihmë. Nëse është koha e bukur me diell ne nuk kërkojmë strehim. Kur kërkojmë strehim? Kur fillon fortuna, stuhia, shtrëngata. Kështu, pra Allahu xh.sh. na dërgon shtrëngatën. Ai na bën persona të nevojshëm në këto situata dhe të ngjajshme në jetë, për të kërkuar strehim.

Por, ne kur kërkojmë ndihmë për shkak të mosdurimit tonë, ne e kërkojmë ndihmën në atë që e kemi afër e që duket e lehtë. E kërkojmë në atë që e shohim, e dëgjojmë dhe e prekim. Në kërkojmë rrugë të shkurtër (trup). Kërkojmë ndihmë nga krijesat duke përfshirë edhe vetveten. Në kërkojmë ndihmë në atë që na duket më afër. A nuk është e saktë se kjo është dynjaja?

Fjala dynja d.m.th. ajo që është më e ulët, më afër. Pra, dynjaja na duket më e afërt. Por kjo është vetëm iluzion.

Ekziston diç që është më afër.

Mendoni një moment për atë që e keni më afër. Sikur t’u bënin këtë pyetje, shumica e njerëzve do të përgjigjeshin se kjo është zemra, apo mendja. Por, Allahu xh.sh. thotë:

            “Ne e kemi krijuar njeriun dhe dimë se ç’pëshpërit ai në vetvete dhe Ne jemi më afër tij se damari (që rrah) i qafës së tij.”

(Kaf, 16)

Në këtë verset Allahu xh.sh. na tregon se Ai i di përpjekjet tona. Është ngushëllim të dimë se dikush i sheh përpjekjet tona. Ai e di kë e thërrasim ne. Por Ai është më afër. Ai është më afër se ne vetë dhe ata që i thërrasim. Ai është më afër se damari i qafës (aorta). Por, përse damari i qafës sonë? Ç’është kjo aq bindëse tek ne? Damari i qafës është arteria kryesore që del nga zemra dhe shpërndan tërë gjakun në organizëm. Nëse pëlcet, vdekja pason menjëherë. Kjo, bukvalisht është linja e jetës sonë. Por, Allahu xh.sh. është edhe më afër se kjo. Allahu xh.sh. është më afër se jeta jonë, se vetvetja, se shpirti ynë.

Në versetin tjetër, Allahu xh.sh. thotë:

            “O ju që besuat, përgjigjjuni (thirrjes së) All-llahut dhe të të dërguarit kur ai (i dërguari) ju fton për atë që ju jep jetë, (për fenë e drejtë) dhe ta dini se All-llahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se ju do të tuboheni te Ai.”

(El – Enfalë, 24)

Allahu xh.sh. e di që ne kemi nefs. Allahu e di që kemi zemër. Por, Allahu na thotë se Ai është bile më afër se këto gjëra. Pra, kur ne drejtohemi kah dikush tjetër pos Tij që është më i dobët, ne largohemi nga Ai. Meqë kjo është natyra jonë të cilën Allahu xh.sh. e di më së miri, Ai na mbron dhe na orienton duke na mbyllur të gjitha dyert tjera gjatë stuhive të jetës. Ai e di se pas gjitha dyerve tjera të ndryshme pos derës së Tij, gjindet greminë. Pra, këto dyer të rrejshme i mban të mbyllura për ne. Nga mëshira e Tij, Ai na dërgon stuhinë për të kërkuar ndihmë. Ai na jep provim me shumë zgjedhje, por vetëm me një opsion për ta zgjedhur përgjigjen e vërtetë. Vetë vështirësia në vete është lehtësi. Duke larguar gjitha ndihmat tjera, të gjitha opsionet tjera të përgjigjes, Ai e ka bërë testin e thjeshtë. Asnjëherë nuk është lehtë me qenë në mes shtrëngatës. E në këtë është poenta. Me dërgimin e erës, Ai na gjunjëzon, e kjo është pozitë e përsosur për lutje.

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi